Rreth 300 ekspertë dhe profesionistë nga 50 vende u mblodhën në Uzbekistan për të diskutuar mënyrën se si Islami paraqitet në media, luftën ndaj islamofobisë dhe rëndësinë e fakteve historike
Si mund të ndryshojë mënyra se si perceptohet Islami dhe historia e qytetërimeve myslimane? Kjo ishte një nga pyetjet kryesore të një forumi ndërkombëtar të medias të zhvilluar në Tashkent, ku morën pjesë rreth 300 gazetarë, studiues, botues, regjisorë dhe specialistë të teknologjisë nga afro 50 vende.
Forumi Ndërkombëtar i Medias, “Qytetërimi Islam, një këndvështrim i ri, zbulime të reja”, u organizua nga Qendra e Qytetërimit Islam në Uzbekistan dhe u përqendrua te mënyra se si historia dhe trashëgimia e shoqërive islame paraqiten në media dhe në hapësirën publike.
Diskutimet prekën edhe përgjegjësinë e mediave për mënyrën se si krijohen ose përforcohen stereotipet, rëndësinë e gazetarisë së pavarur dhe mënyrën se si teknologjia mund të përdoret për t’i afruar burimet historike me audiencat e sotme.
“Për islamofobinë duhet më shumë dije, jo përplasje”
Firdavs Abdukhalikov, drejtori i Qendrës së Qytetërimit Islam, tha se keqkuptimet për Islamin duhet të trajtohen përmes dijes dhe shpjegimit.
“Në hapësirën mediatike duhet të flasim jo për të debatuar, por për të shpjeguar”, tha ai.
Sipas Abdukhalikov, edukimi është një nga mënyrat më të fuqishme për t’iu përgjigjur islamofobisë, ndërsa faktet dhe e vërteta janë mënyra më e mirë për të korrigjuar keqkuptimet.
Ai theksoi gjithashtu se historia shkencore dhe kulturore e qytetërimeve islame duhet të prezantohet më gjerësisht dhe mbi bazën e kërkimeve dhe provave historike.
Hasanbey Kondu, drejtues i shtëpisë botuese turke Mega Basım, solli një këndvështrim tjetër në debat. Sipas tij, përgjegjësia për keqinterpretimet e Islamit nuk mund t’u atribuohet vetëm Evropës apo Perëndimit.
“Islami keqkuptohet dhe keqparaqitet, me dashje ose pa dashje, dhe këtu përfshij edhe myslimanët”, tha Kondu.
Ai argumentoi se myslimanët duhet të reflektojnë edhe mbi mënyrën se si e shpjegojnë dhe e paraqesin vetë Islamin.
Nga Azia Qendrore te Evropa, një histori që po rikthehet në vëmendje
Debati nuk u kufizua vetëm te Islami, por preku edhe mënyrën se si media evropiane e ka trajtuar prej vitesh Azinë Qendrore.
Sherzod Asadov, sekretar për shtyp i presidentit të Uzbekistanit, u bëri thirrje gazetarëve të huaj që ta shohin vendin nga afër dhe të krijojnë opinionin e tyre.
“Ju ftojmë ta shihni me sytë tuaj, të flisni me njerëzit, të bëni pyetje dhe të nxirrni përfundimet tuaja”, tha ai.
Asadov foli edhe për inteligjencën artificiale dhe ndikimin e saj në gazetari. Sipas tij, AI mund t’i ndihmojë gazetarët dhe të zgjerojë aftësitë e tyre, por nuk mund ta zëvendësojë gazetarin.
E vërteta, paanshmëria dhe përgjegjësia ndaj publikut, tha ai, duhet të mbeten në qendër të gazetarisë, pavarësisht zhvillimit të teknologjisë.
CEO i Euronews, Claus Strunz, tha se Azia Qendrore për një kohë të gjatë ka qenë jashtë vëmendjes së opinionit publik evropian, duke u shfaqur kryesisht në lajme për fatkeqësi ose në histori të romantizuara për Rrugën e Mëndafshit.
“Kjo ishte arrogante dhe e verbër atëherë”, tha Strunz.
Sipas tij, kjo situatë ka ndryshuar. Në prill 2025, në Samarkand u zhvillua samiti i parë BE, Azi Qendrore, ku marrëdhëniet mes dy rajoneve u ngritën në nivel partneriteti strategjik.
“Është koha të shohim sërish nga Lindja”, tha Strunz, duke nënvizuar rëndësinë në rritje ekonomike, politike dhe kulturore të Azisë Qendrore për Evropën.
Por ai theksoi se kjo vëmendje duhet të shoqërohet me gazetari të pavarur dhe raportim nga terreni.
“Ne nuk jemi këtu për t’u mësuar atyre. Jemi këtu për t’i informuar”, tha ai.
Rruga e Mëndafshit, jo vetëm tregti, por edhe shkëmbim dijesh
Një pjesë e forumit iu kushtua historisë së shkëmbimit të dijes mes Evropës, Azisë Qendrore dhe Lindjes së Mesme.
Studiuesi italian Mario Taddei, specialist i dorëshkrimeve dhe shpikjeve të Leonardo da Vinçit, foli për atë që e quan “Rruga e Mëndafshit e Dijes”, përmes së cilës idetë shkencore udhëtuan nga Kina, përmes Lindjes së Mesme, drejt Evropës së Rilindjes.
“Ne besojmë se i kemi shpikur të gjitha, por nuk është e vërtetë”, tha Taddei, duke përmendur edhe inxhinierët mesjetarë Al Muradi dhe Al Xhezari si pjesë të kësaj historie të shkëmbimit shkencor.
Në forum u soll në vëmendje edhe udhëtimi i diplomatit spanjoll Ruy González de Clavijo, i cili u dërgua nga mbreti Henri III i Kastiljes te Timur Lengu dhe mbërriti në Samarkand në vitin 1404.
Sot, kjo trashëgimi po prezantohet përmes formateve të reja, nga librat dhe dokumentarët te avatarët digjitalë dhe platformat interaktive.
Mesazhi i forumit ishte se historia nuk duhet të mbetet vetëm në arkiva, por duhet të jetë e aksesueshme dhe e kuptueshme për brezat e rinj.
“Historia duhet të flasë. Trashëgimia kulturore duhet të komunikojë me njerëzit. E kaluara duhet të frymëzojë brezin e sotëm drejt zbulimeve të reja”, tha Abdukhalikov.
