Last Updated on 02/10/2026 by EL
Një studim i ri ngre shqetësime për ndikimin që mund të ketë konsumimi i ushqimeve me shumë sheqer gjatë trajtimit me antibiotikë.
Sipas kërkimit, të publikuar në revistën ‘Nature’, kombinimi i antibiotikëve me sheqernat mund të dëmtojë më tej mikrobiomën e zorrëve, që janë bakteret të mira të cilat luajnë rol të rëndësishëm në tretje dhe në sistemin imunitar.
Studiuesit analizuan më shumë se 1000 mostra nga 173 pacientë me kancer, të cilët po merrnin antibiotikë përpara transplantit të qelizave staminale.
Rezultatet treguan se sa më shumë ushqime të ëmbla konsumonin pacientët gjatë trajtimit me antibiotikë, aq më shumë ulej shumëllojshmëria e baktereve të mira të zorrëve.
Në veçanti, u vu re një rritje e bakterit Enterococcus, i cili në kushte të caktuara mund të shkaktojë infeksione serioze.
Eksperimentet te minjtë treguan gjithashtu se, pas antibiotikëve, shtimi i sheqerit në dietë rriti ndjeshëm sasinë e këtij bakteri.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se bëhet fjalë për një studim vëzhgues dhe jo për një provë klinike të kontrolluar. Prandaj, nevojiten kërkime të tjera për të përcaktuar saktësisht se çfarë ndikimi ka sheqeri te njerëzit që marrin antibiotikë jashtë ambienteve spitalore./et
