Last Updated on 31/07/2025 by adminfjala
Disa aeroporte kryesore u detyruan të ndalonin operacionet për shkak të një defekti teknik në qendrën e kontrollit të trafikut ajror NATS në Southampton, që la shumë avionë të bllokuar në pistë. NATS nuk përjashtoi mundësinë e një sulmi të huaj armiqësor apo hakerash, duke shtuar se bëhej fjalë për një “problem me radarin”, i cili u zgjidh duke kaluar shpejt në një sistem rezervë.
Kur sistemi u bë sërish “plotësisht funksional”, mijëra pasagjerë u përballën me vonesa deri në 5 orë, ndërsa më shumë se 150 fluturime nga dhe për në Britani u anuluan.
Ekuipazhet e avionëve në mbarë vendin u njoftuan për një “dështim të radarit” në qendrën e NATS në Southampton në orën 14:30. Në orën 16:43, NATS njoftoi se problemi ishte zgjidhur, por vonesat vazhduan.
British Airways tha se problemet ndikuan në shumicën e fluturimeve të tyre. Aeroporti i Birmingham konfirmoi se të gjitha fluturimet në nisje ishin pezulluar. Deri në orën 19:15, në Heathrow lejoheshin vetëm 32 fluturime në orë, nga 45 që është norma.
Pasagjerë të zemëruar u detyruan të shtyjnë pushimet e planifikuara prej muajsh, ndërsa mijëra britanikë të dëshpëruar tani përballen me dilemën e të fjeturit nëpër aeroporte ose shpenzimin e qindra paundëve për akomodim, pasi janë “braktisur” nga linjat ajrore në vend dhe jashtë.
Drejtuesit e Ryanair bënë thirrje që drejtori ekzekutiv i NATS, Martin Rolfe, të japë dorëheqjen pas këtij incidenti të trafikut ajror.
Një pushues i pakënaqur në Kroaci, i cili kërkoi të mbetet anonim, tha se ai, bashkëshortja dhe dy fëmijët e tij u detyruan të flinin në aeroportin e Dubrovnikut pasi easyJet anuloi fluturimin e tyre.
“EasyJet është për turp. Na lanë në baltë pa asnjë ndihmë. Na thanë vetëm të shkarkonim aplikacionin – i cili nuk na ndihmoi fare.”
John Carr, një specialist shëndeti nga Stourbridge, u bllokua në Heathrow, duke humbur fluturimin për në Norvegji ku ishte i ftuar në dasmën e vëllait. “Nuk na paralajmëroi askush. Kishim valixhe plot me gjëra për dasmën. Nuk dimë ku do flemë sonte”, tha ai./e.t