Monedha 1 dollarëshe e krijuar për të festuar 250-vjetorin e Amerikës me fytyrën e presidentit Donald Trump në ngjyrë ari, do të dalë në shitje të mërkurën, sipas Zyrës së Monedhës së SHBA-së.
Dizajni i monedhës, fytyra e Trump në njërën anë dhe Vula e Madhe e Shteteve të Bashkuara në krahun tjetër, mori vulën e miratimit këtë vit nga Komisioni i Arteve të Bukura i SHBA-së, anëtarët e të cilit i emëroi Trump.
Disa kohë më parë, presidenti Trump tha se ideja për të stampuar fytyrën e tij në një monedhë ishte “shumë e pazakontë”, por se ai ishte “i nderuar nga kjo”.
Monedhat, të cilat mund të përdoren si mjet ligjor pagese, shkaktuan disa kritika, veçanërisht për shkak të ligjit federal që ndalon përshkrimin e një presidenti të gjallë në monedhën amerikane. Por në disa rrethana, Sekretari i Thesarit ka autoritet për të autorizuar lëshimin e monedhave të veçanta.
Monedhat u krijuan për të “nderuar 250 vjet trashëgimi të madhe amerikane”, shkroi Zyra e Monedhave të SHBA-së në faqen e saj të internetit. Në një hark sipër fytyrës së Trump është shkruar “LIRI” dhe poshtë është “1776 – 2026”.
Në anën tjetër është Vula e Madhe e Shteteve të Bashkuara, me shqiponjën që mban shigjeta në njërën kthetër dhe një degë ulliri në tjetrën. Në një flamur të kapur në sqep është shkruar “E PLURIBUS UNUM”, që në latinisht do të thotë “nga shumë, një”./mxh
