Last Updated on 17/04/2026 by EL
Ish-kryeministri Sali Berisha, pas gjysmë ore nga orari zyrtar i protestës, është larguar nga ambientet e selisë së Partisë Demokratike për t’iu bashkuar protestuesve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku do të mbahet tubimi i shtatë kombëtare e thirrur nga opozita.
I shoqëruar nga qindra mbështetës, Berisha është drejtuar drejt zonës përpara Kryeministrisë, ku janë mbledhur edhe grupe të tjera protestuesish. Ndryshe nga tubimet e mëparshme, këtë herë ai është rikthyer në mbajtjen e fjalimeve nga podiumi. Sipas organizatorëve, në protestë do të mbajnë fjalë edhe pesë folës të tjerë, mes tyre edhe Besart Xhaferi.
Gjatë tubimit, protestuesit kanë shfaqur slogane të ndryshme dhe kanë mbajtur në duar flamuj shqiptarë, të Partisë Demokratike, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Gjermanisë.
Në terren, Policia e Shtetit ka angazhuar rreth 1500 efektivë për të garantuar rendin dhe sigurinë përgjatë zhvillimit të protestës disa orëshe. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, po ndjek nga afër situatën.
Autoritetet kanë theksuar se prioritet mbetet ruajtja e institucioneve shtetërore, pasi pritet që pas grumbullimit përpara Kryeministrisë, protestuesit të vijojnë marshimin drejt institucioneve të tjera kryesore.
Ndërkohë, godina e Kryeministrisë është rrethuar me masa të shtuara sigurie, përfshirë gardhe metalike. Në terren janë vendosur autobote uji, mjete zjarrfikëse dhe ambulanca, ndërsa forcat “Shqiponja” janë pajisur edhe me pajisje zjarrfikëse si masë parandaluese, në vijim të skenarëve të protestave të mëparshme.
Policia e Shtetit u ka bërë thirrje organizatorëve të protestës që të distancohen nga çdo veprim që cenon rendin publik dhe sigurinë e institucioneve./et
