Last Updated on 08/12/2025 by Monika
Nga Mentor Kikia
Edhe një herë për heroizmat dhe shembjen e diktaturës.
Në këtë foto janë përfaqësuesit e studentëve protestues që shkojnë të takojnë Ramiz Alinë dhe i thonë:
— “Duam pluralizëm politik.”
— “Dakord,” — përgjigjet Ramizi.
— “Duam të bëjmë parti!”
— “Bëjeni,” — thotë ai. “Bëjmë garë. Ju me partinë tuaj, ne me tonën.”
Dhe ne brohoritëm: “Urra, Ramizi na lejoi të bëjmë parti!”
Kaq ishte “revolucioni” ynë. I kërkuam leje diktatorit për të bërë demokraci dhe ai na e dha.
Në krye të “partisë së re” u vendosën një grup ish-komunistësh dhe ish-sigurimsash. Ndërsa partisë së tij të vjetër i ndryshuan emrin pas pak muajsh dhe e stampuan si “moderne, europiane”. Që atëherë, çdo katër vjet, luajmë një lojë të quajtur “demokraci”.
Tregimet me “revolucion” e me “përleshje me bishën gjakatare” janë… po, edhe me rigon sipër. Diktatura kishte rënë vetë, kishte falimentuar. Nuk kishte më bukë. Ramizi dhe njerëzit e tij kishin vetëm një frikë: mos përfundonin si udhëheqësi i rrëzuar i Europës Lindore pak muaj më parë. Frika i shtyu të kontrollonin vetë tranzicionin, të ruanin pushtetin politik dhe ekonomik, duke ndërruar ngjyrën, por jo strukturën.
Sepse revolucion do të thoshte diçka krejt tjetër: Partia e Punës të shpërbëhej, të nxirrej jashtë ligjit, t’i sekuestroheshin të gjitha asetet. Por ndodhi e kundërta ajo fitoi edhe zgjedhjet e para “demokratike”.
Ata që u vunë në krye atëherë:
Nuk dinin?
Nuk mundën?
Nuk deshën?
Apo ishin vegla të Ramizit?
Sot kjo nuk ka më rëndësi.
Rëndësi ka vetëm respekti për bashkëmoshatarët e mi të guximshëm, për idealistët që shpresonin sinqerisht për një Shqipëri të re edhe pse demokracia jonë, në shumë drejtime, u vra para se të lindte.
