Last Updated on 26/03/2026 by Kesjana
Ideja se demokracia ka lindur në Greqinë e Lashtë mund të jetë e paplotë. Studime të fundit tregojnë se shumë shoqëri të lashta, në pjesë të ndryshme të botës, kanë zhvilluar forma qeverisjeje që u jepnin zë qytetarëve dhe kufizonin pushtetin e sundimtarëve.
Shumica e njerëzve e lidhin lindjen e demokracisë me jetën politike të qyteteve të Greqisë së Lashtë. Megjithatë, forma më gjithëpërfshirëse dhe pjesëmarrëse të administrimit publik kanë qenë më të përhapura sesa mendohej. Këto sisteme synonin të ndanin pushtetin dhe të vendosnin kufij të qartë për autoritetin e drejtuesve.
Një studim i publikuar në Science Advances ka analizuar 40 civilizime të lashta, të shtrira në 31 zona të ndryshme në Evropë, Amerikën e Veriut dhe Azi, përgjatë mijëvjeçarëve. Studiuesit janë përpjekur të kuptojnë mënyrën e organizimit të pushtetit duke analizuar arkitekturën dhe elemente të tjera konkrete të jetës urbane të kohës.
Duke qenë se për shumë civilizime mungojnë dokumentet e shkruara, ekipi i udhëhequr nga arkeologu Gary Feinman ka përdorur mënyrën se si organizohej hapësira urbane si tregues për sistemin politik. Sipas tij, qytetet me hapësira të mëdha publike dhe ndërtesa ku njerëzit mund të mblidheshin e të shkëmbenin ide, priren të jenë më demokratike. Në të kundërt, struktura si piramidat me akses të kufizuar ose qytete të projektuara rreth rezidencës së sundimtarit janë tregues të sistemeve më autokratike.
Një tjetër tregues ishte mënyra se si paraqiteshin sundimtarët në art dhe monumente. Përfaqësimet e shumta dhe të ekzagjeruara lidhen me shoqëri autokratike, ndërsa ato më të rralla dhe realiste sugjerojnë një shpërndarje më të balancuar të pushtetit. Gjithashtu, planifikimi urban me sheshe të mëdha publike tregon për një jetë qytetare më aktive dhe pjesëmarrëse.
Studiuesit identifikuan dy elementë kryesorë për të vlerësuar një shoqëri: niveli i aksesit të qytetarëve në pushtet dhe përqendrimi i tij në duart e një individi apo një grupi të vogël. Zgjedhjet nuk u konsideruan si kriter i drejtpërdrejtë, pasi edhe regjimet autokratike shpesh mund të vijnë në pushtet përmes proceseve zgjedhore.
Rezultatet tregojnë se demokracia nuk është një fenomen i kufizuar vetëm në Greqinë e Lashtë apo në Romën republikane. Forma të ngjashme qeverisjeje kanë ekzistuar edhe në rajone të tjera të botës. Po ashtu, edhe autokracia ka rrënjë të thella historike.
Një faktor kyç që përcaktonte natyrën e pushtetit ishte mënyra e financimit të autoritetit. Shoqëritë ku pushteti mbështetej në burime të kontrolluara nga elitat, si tregtia, luftërat apo shfrytëzimi i burimeve natyrore, priren të jenë më autokratike. Ndërsa ato që mbështeteshin në taksa të brendshme apo punë komunitare kishin një shpërndarje më të drejtë të pushtetit dhe nivele më të ulëta pabarazie ekonomike.
Demokracia dhe autokracia nuk janë të paracaktuara nga vendndodhja apo madhësia e një shoqërie. Ato janë zgjedhje. Edhe në kushte të vështira, shoqëritë mund të ndërtojnë sisteme më të drejta dhe gjithëpërfshirëse, duke ofruar një perspektivë shprese në një botë ku demokracia dhe paqja shpesh vihen në sfidë./F.C
