Last Updated on 30/09/2025 by adminfjala
Nga Monada Mehmetaj, Strasburg
Nga burgosja e 17 kryetarëve të bashkive dhe qindra gazetarëve, tek rrëzimi i Konventës së Stambollit: Turqia po shemb demokracinë ndërsa Komisioni Europian hesht. Represioni politik, gjyqësori i kapur, mediat e mbyllura dhe dhjetëra të burgosur politikë e kanë kthyer demokracinë turke në farsë, ndërsa Evropa e sheh vetëm përmes filtrit të emigracionit e sigurisë. Nga Osman Kavala tek Abdullah Öcalan, nga mediat e shuar tek gjyqtarët e shkarkuar: erozioni i demokracisë turke shoqërohet me heshtjen per Brukselin.
Në seancën plenare të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës shpërtheu një debat që u kthye në simbol të përplasjes, italiani Piero Fassino kundërshtoi hapur përfaqësuesen turke Myryem Göka, e cila u përpoq ta relativizonte gjendjen duke thënë se opozita ka problemet e saj. Por realiteti është kokëfortë. Në Turqi, 17 kryetarë bashkish janë arrestuar, prokuroria hyn në çdo portal duke ndjekur opozitarët dhe kritikët, mediat janë pothuajse të shuhura dhe gjyqtarët shkarkohen si të pabesueshëm sapo nuk i binden pushtetit. Drejtësia është kthyer në shantazh dhe gjyqësori në instrument politik.
Në burgje numërohen qindra të burgosur politikë: Osman Kavala, i gjykuar më 27 mars në një proces të manipuluar; Abdullah Öcalan me mbi 26 vite i izoluar, dëshmi se procesi i paqes me kurdët është varrosur; rasti i Yamanlar dhe dhjetëra aktivistë, profesorë e gazetarë që vuajnë vetëm sepse guxuan të flasin. Numri i gazetarëve të burgosur është ndër më të lartët në botë – 26 të arrestuar vetëm në vitin 2024, 25 të tjerë në tremujorin e parë të vitit 2025, dhe mbi 135 vite burg të dhëna si dënime për gazetarë. Autocensura është bërë mburoja e të mbijetuarve.

Zgjedhjet janë kthyer në farsë. Në fushata përdoren mbi 170 milionë euro, korrupsioni arrin deri në 300 miliardë, ndërsa opozita arrin deri në 47% të votave por nuk lejohet të qeverisë. Kujtesa e zgjedhjeve të vitit 2002 me pjesëmarrje mbi 83% është kontrasti më i fortë me realitetin e sotëm. Presidenti nuk është më arbitër institucional, por aktor politik i ekspozuar. CHP nuk lejohet të organizojë tubime, partitë opozitare kriminalizohen dhe pluralizmi shkatërrohet.
Ankaraja ka hedhur poshtë Konventën e Stambollit, duke braktisur një instrument që mbronte më të dobtët, gratë dhe fëmijët. Megjithatë Turqia mbetet anëtare e Këshillit të Europës dhe ka detyrime që i shkel përditë. Deficiti i shtetit të së drejtës është kronik, burokratët janë të mjegullt dhe qytetarët kanë humbur besimin tek institucionet.
Komisioni Europian hesht. Ai flet me Turqinë vetëm për sigurinë dhe emigracionin, duke lënë demokracinë jashtë tavolinës. Kjo nuk është më pragmatizëm, por bashkëfajësi. Donald Trump, gjatë presidencës së tij, nuk u interesua kurrë për të drejtat e njeriut dhe i dha Erdoganit një mbështetje të heshtur që lehtësoi autoritarizmin. Europa e sotme rrezikon të bëjë të njëjtën gjë: të mbyllë sytë në emër të interesave strategjike.
Stefan Schennach dhe misionet e PACE kanë ngritur alarmin, kanë bërë raporte, kanë paralajmëruar vizita në burgje, por çfarë misioni kanë nëse në terren asgjë nuk ndryshon? A është detyra e tyre të numërojnë gazetarët në qeli apo të mbrojnë lirinë e tyre? Raportet pa pasoja janë simbolike, dhe simbolika e zbrazët është bashkëfajësi.
Turqia sot nuk është demokraci. Është një shtet ku zgjedhjet manipulohen, opozita përndiqet, gazetarët dhe aktivistët futen në burg, gjyqtarët shkarkohen, Konventa e Stambollit është rrëzuar, drejtësia shndërrohet në shantazh dhe shoqëria mbahet nën frikë. Europa ka një përgjegjësi historike: ose do ta thotë hapur të vërtetën dhe do të vendosë kushte të qarta, ose do të hyjë në histori si bashkëfajtore e autoritarizmit që ka shkatërruar shpresën për liri dhe të ardhmen e një populli. m.p.
