Nga Ylli Manjani
Kur gjyqtarja Sonila Bejtja, pak muaj më parë, gjatë shqyrtimit në Gjykatën Kushtetuese të padisë së Erion Veliajt, ftoi kolegët e saj të gjykonin mbi standardin kushtetues të dyshimit të arsyeshëm, një opinion i tërë u turr kundër saj. Komentues injorantë me kurajë badallai, militantë partiakë që kanë harruar si ndërtohet shteti dhe si vihet në pushtet, e përçudnuan gjykatësen vetëm pse pati guximin të shkruante në pakicë një të vërtetë elementare, nuk ka dyshim të arsyeshëm pa prova që lidhin personin me pasojën penale.
Për ta, Sonila Bejtja ishte “e shitur”. Për ta, mjafton ta thotë SPAK-u dhe Kushtetuta duhet të mbyllë gojën.
Tre ditë më parë foli dikush tjetër. Jo Sonila Bejtja. Folën 17 gjyqtarët e Dhomës së Madhe të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në çështjen Osman Kavala kundër Turqisë. Dhe ajo që thanë është një shuplakë për gjithë drejtësinë e Osman Gazepit.
Gjykata e Strasburgut arsyeton se dyshimet, hamendësimet apo bindja subjektive e prokurorit nuk përbëjnë “dyshim të arsyeshëm”. Dyshimi i arsyeshëm nuk është ndjesi. Nuk është intuitë. Nuk është bindja e prokurorit. Ai duhet të mbështetet në fakte objektive, prova reale dhe të verifikueshme, të afta të bindin edhe një vëzhgues të jashtëm se personi mund të ketë kryer veprën penale.
Pra, nuk e thotë Sonila “e shitur”. E thotë Strasburgu.
Dhe këtu fillon tragjikomedia shqiptare.
Në drejtësinë e Osman Gazepit çdo dyshim është automatikisht i arsyeshëm, mjafton ta shqiptojë prokurori. Njësoj si burri apo gruaja xheloze që dyshon se ia dredh bashkëshorti. Dyshimi lind në kokë dhe pastaj fillon kërkimi i provave që ta mbështesin.
Edhe prokurorët tanë kështu veprojnë. Fillimisht krijojnë fabulën. Pastaj nisin gjuetinë: përgjime, biseda telefonike, memoriet e celularëve, kontakte personale, takime, udhëtime, fotografi, aktivitete civile krejt normale. Çdo gjë bëhet “provë”, sepse më parë është vendosur përfundimi.
Por Strasburgu thotë pikërisht të kundërtën.
Veprimtaritë normale të jetës civile nuk mund të shndërrohen artificialisht në prova kriminale. Nuk mund të marrësh një takim, një telefonatë, një konferencë apo një aktivitet publik dhe ta paketosh si organizatë kriminale vetëm sepse kështu i leverdis prokurorisë.
Ky është standard europian. Jo standard osman.
Prandaj vendimi për Osman Kavalën është shumë më tepër sesa një fitore e një aktivisti turk. Është një aktakuzë kundër drejtësisë që arreston njerëz mbi fabula mediatike dhe bindje prokurorësh.
Në Shqipëri kemi ngritur një sistem ku prova nuk gjykohet në sallën e gjyqit. Ajo gjykohet në studio televizive. Media e porositur ndërton bindjen kolektive dhe më pas gjykata vulos atë që opinioni është ushqyer të besojë.
Kjo është arsyeja pse Sonila Bejtja u gjykua më rëndë sesa mungesa e provave në dosjet e SPAK-ut. Sepse “arsyeja kolektive” u bind se brekët e gruas së një zyrtari janë provë më e fortë korrupsioni sesa respektimi i garancive kushtetuese. Të gjithë duartrokasin derisa radha t’u vijë te dera e shtëpisë.
Por vendimi Kavala nuk ndalet vetëm te dyshimi i arsyeshëm.
Ai flet edhe për një gjykatë të paanshme.
Strasburgu thotë se nuk mjafton që gjykatësi të pretendojë se është i paanshëm. Mjafton që rrethanat të krijojnë një dyshim objektiv se gjykata është nën presion ose nën ndikim dhe e drejta për gjykim të drejtë është cenuar.
Tani hajde ta sjellim në Shqipëri.
Në drejtësinë e Osman Gazepit gjykata është kthyer në noter të prokurorit. Prokurori mund të kërcënojë, të përgjojë, të intimidojë ose të hapë procedime ndaj çdo gjyqtari që guxon të mos firmosë kërkesën e tij. Kur SPAK përgjoi gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese gjatë ushtrimit të funksionit të tyre, aty drejtësia e Osman Gazepit arriti kulmin: prokurori u ngrit mbi gjyqtarin.
Dhe pikërisht këtë logjikë rrëzon Strasburgu. Një gjykatë që gjykon nën hijen e prokurorit nuk është gjykatë e paanshme.
Nëse Shqipëria pretendon të jetë shtet europian dhe anëtare serioze e Këshillit të Europës, vendimi Osman Kavala kundër Turqisë nuk është literaturë fakultative. Është standard detyrues. Ai duhet të lexohet në çdo sallë gjyqi ku vendoset për lirinë e një qytetari.
Sepse me atë vendim bien dy kolonat mbi të cilat është ndërtuar drejtësia e Osman Gazepit: ideja se prokurori mjafton për të krijuar dyshim të arsyeshëm dhe ideja se gjykata ekziston vetëm për të vulosur kërkesën e prokurorisë.
Osman Kavala fitoi kundër Turqisë.
Tani mbetet të shohim nëse Shqipëria do të vazhdojë të jetojë me drejtësinë e Osman Gazepit, apo do të pranojë standardin e Strasburgut./kb
