Arthur Brooks, profesor dhe autor, flet për kuptimin e jetës, lumturinë dhe varësinë nga pajisjet teknologjike. Sipas tij, një nga problemet më të mëdha të kohëve të fundit është rritja e ndjenjës se jeta është pa kuptim, veçanërisht te të rinjtë. Depresioni dhe ankthi janë rritur ndjeshëm dhe një nga arsyet lidhet me humbjen e kuptimit në jetë.
Brooks argumenton se kuptimi gjendet kryesisht përmes marrëdhënieve reale me njerëzit. Sa më shumë distancohemi nga familja, miqtë dhe komuniteti dhe zëvendësojmë kontaktin real me ekranet, aq më shumë jeta mund të duket artificiale dhe bosh.
Ai thekson se kuptimi i jetës përbëhet nga tri elemente:
Koherenca – të kuptosh pse ndodhin gjërat.
Qëllimi – të kuptosh pse bën atë që bën.
Rëndësia – të ndjesh se jeta jote ka vlerë.
Sipas kërkimeve të përmendura nga Brooks, njerëzit ndahen në katër grupe: ata që e kanë gjetur kuptimin, ata që janë ende duke e kërkuar, ata që e kanë gjetur por vazhdojnë të kërkojnë më shumë dhe grupi më problematik: ata që nuk e ndiejnë kuptimin e jetës dhe as nuk po përpiqen ta gjejnë. Ky grup, veçanërisht te të rinjtë, po rritet.
Varësia nga telefoni krijon një rreth vicioz: sapo ndiejmë pak mërzitje, marrim pajisjen për ta larguar. Sa më shumë e bëjmë këtë, aq më pak tolerojmë mërzitjen dhe aq më shumë varemi nga ekrani. Në fund, teknologjia mund të na largojë nga jeta reale dhe nga njerëzit përreth.
Brooks thekson se zgjidhja nuk është të heqim dorë nga teknologjia, por ta përdorim në mënyrë më të përshtatshme. Teknologjia është shumë e dobishme për problemet praktike, por nuk mund të zgjidhë problemet njerëzore si vetmia, dashuria apo kuptimi i jetës. Këto kërkojnë marrëdhënie reale dhe përvoja njerëzore.
Elementet e lumturisë
Brooks e përshkruan njeriun si një qenie që ka nevojë për kuptim. Sipas tij, lumturia nuk është thjesht një ndjenjë, por përbëhet nga tre elemente kryesore:
Kënaqësia nga jeta
Kënaqësia me arritjet dhe atë që bëjmë
Kuptimi i jetës
Problemi kryesor te të rinjtë sot nuk duket të jetë mungesa e kënaqësisë apo e arritjeve, por mungesa e kuptimit. Gjithnjë e më shumë njerëz ndihen sikur po jetojnë një jetë jo reale, si në një simulim.
Për të gjetur kuptimin, Brooks sugjeron të bëjmë pyetje të mëdha që nuk kanë përgjigje të gatshme, si: Për çfarë do ta jepja jetën time? Pse bëj atë që bëj? Pse ka rëndësi jeta ime? Këto pyetje kërkojnë reflektim dhe nuk mund të zëvendësohen nga Google apo inteligjenca artificiale.
Sipas tij, dashuria romantike dhe miqësitë e thella janë ndër burimet më të fuqishme të kuptimit. Studimi 85-vjeçar i Harvardit mbi zhvillimin e të rriturve gjeti se marrëdhëniet e dashurisë dhe miqësitë e ngushta lidhen me një jetë më të lumtur dhe më të shëndetshme.
Një tjetër mënyrë për të gjetur kuptimin e jetës është transcendenca, pra të dalësh përtej vetes. Kjo mund të ndodhë duke parë diçka më të madhe se vetja, përmes besimit, meditimit, natyrës, artit apo filozofisë, por edhe duke u përkushtuar ndaj njerëzve të tjerë dhe duke i shërbyer komunitetit. Teknologjia, përkundrazi, na mban të fokusuar te vetja dhe te detajet e përditshme.
Puna dhe qëllimi
Një thirrje në jetë (calling) nuk është domosdoshmërisht një profesion. Mund të jetë rritja e fëmijëve, puna vullnetare apo çdo aktivitet përmes të cilit krijon vlerë dhe u shërben të tjerëve.
Sipas Brooks, dy gjëra janë veçanërisht të rëndësishme:
të ndjesh se e ke fituar suksesin duke krijuar vlerë;
të ndjesh se je i nevojshëm për dikë tjetër.
Paratë, prestigji apo pushteti nuk mjaftojnë.
Kuptimi vjen më shumë nga motivimi i brendshëm dhe nga ndjenja se ajo që bën ka vlerë.
Bukuria dhe vuajtja
Bukuria, veçanërisht ajo që përjetohet drejtpërdrejt në natyrë, art apo në veprat e mira të njerëzve, mund të na japë perspektivë dhe kuptim. Një studim i përmendur nga Brooks tregoi se njerëzit që përqendrohen çdo ditë te gjëra të bukura e përjetojnë jetën si më të thellë dhe më domethënëse.
Edhe vuajtja është pjesë e një jete me kuptim. Emocionet negative si frika, zemërimi, trishtimi dhe neveria kanë funksion mbrojtës. Përvojat e vështira shpesh janë ato që na mësojnë, na bëjnë më të fortë dhe na ndihmojnë të kuptojmë veten.
Brooks e përmbledh kështu: vuajtja = dhimbja × rezistenca ndaj dhimbjes. Sa më shumë luftojmë për ta eliminuar çdo dhimbje, aq më i madh mund të bëhet vuajtja; pranimi i saj mund të na ndihmojë ta kthejmë në mësim dhe kuptim.
Varësia nga teknologjia
Në kapitullin e tretë, Brooks shpjegon se dopamina nuk është thjesht “hormoni i kënaqësisë”, por lidhet me pritshmërinë e shpërblimit. Njoftimet, mesazhet dhe rrjetet sociale e aktivizojnë vazhdimisht këtë mekanizëm, duke na bërë të kontrollojmë telefonin përsëri e përsëri.
Sipas tij, teknologjia mund të kthehet në varësi kur përdorimi bëhet kompulsiv, kur ndiejmë shqetësim pa pajisjen dhe kur mendja vazhdimisht kthehet tek ajo. Problemi nuk është teknologjia në vetvete, por mënyra se si ajo mund të “rrëmbejë” mekanizmat natyrorë të shpërblimit të trurit.
Arthur Brooks e krahason përdorimin e tepërt të teknologjisë me mënyra të tjera të mpirjes emocionale. Telefoni na shpërqendron nga emocionet dhe problemet tona, duke krijuar një lehtësim të përkohshëm, por duke rritur ankthin dhe stresin.
Edhe “doom scrolling” nuk është çlodhje e vërtetë. Përmbajtjet konfliktuale dhe krahasimi social na mbajnë në gjendje tensioni, ndërsa përdorimi i vazhdueshëm ushqen ciklin e dopaminës dhe mund të krijojë varësi.
Si të çlirohemi nga varësia
Brooks përmend tre hapa:
Të ngopesh me këtë gjendje – të pranosh se teknologjia ka marrë shumë hapësirë në jetën tënde dhe të vendosësh të ndryshosh.
Detoksifikimi – të ndërpresësh sjelljet që ushqejnë ciklin e varësisë.
Të jetosh ndryshe – të ndryshosh rutinën, mjedisin dhe mënyrën se si e përdor kohën.
Pika më e vështirë është të mësosh të jesh rehat me mërzinë dhe me veten, në vend që të kërkosh vazhdimisht një shpërqendrim.
Filozofia e vetëbesimit
Brooks sjell në vëmendje filozofin amerikan Ralph Waldo Emerson dhe idenë e tij të “self-reliance”. Për të qenë të lirë, duhet:
të jemi të sinqertë me veten;
të mendojmë për veten, edhe kur mendimi ynë ndryshon nga turma;
të ndjekim rrugën tonë, edhe nëse kjo do të thotë të largohemi nga grupi.
Sipas Brooks, kjo është veçanërisht e rëndësishme në epokën e rrjeteve sociale, ku është shumë e lehtë të jetosh brenda një “jehone” ku të gjithë mendojnë njësoj.
Tre rregulla për teknologjinë
Brooks propozon tre kategori kufizimesh:
1. Koha pa teknologji
Ora e parë e mëngjesit.
Koha e vakteve.
Ora e fundit para gjumit.
Këto momente duhet t’u kushtohen jetës reale, njerëzve përreth dhe pushimit.
2. Hapësira pa teknologji
Dhoma e gjumit – telefoni të qëndrojë larg shtratit.
Shkolla/klasa – telefoni të mos jetë pjesë e ditës mësimore.
3. “Agjërimi” nga teknologjia
Brooks rekomandon 96 orë, pra katër ditë në vit, pa pajisje, për t’u shkëputur dhe për të rifituar qetësinë.
Si ta bëjmë telefonin më pak tërheqës
Çaktivizo shumicën e njoftimeve.
Kalo ekranin në bardhë e zi, në mënyrë që të jetë më pak stimulues.
Mos lejo që telefoni të të ndërpresë vazhdimisht vëmendjen.
Brooks thekson se teknologjia na ka krijuar atë që e quan “mendja majmun”: mendja kalon vazhdimisht nga një gjë te tjetra dhe nuk arrin të përqendrohet gjatë.
Mërzia është e nevojshme
Për të arritur gjendjen e “flow”, kur përqendrohesh plotësisht në diçka dhe humbet ndjesinë e kohës, duhet të jesh i aftë të durosh pak mërzi. Nëse sa herë mërzitesh kap telefonin, nuk i jep trurit mundësinë të hyjë në këtë gjendje.
Brooks sjell shembullin e stërgjyshit të tij, Leroy, i cili punonte si fermer dhe mund të kalonte orë të tëra në një punë monotone. Jeta e tij nuk ishte bosh vetëm sepse kishte momente mërzie. Ne sot e kemi eliminuar mërzinë nga çdo minutë, por rrezikojmë ta bëjmë vetë jetën më të zbrazët./ad
