Last Updated on 14/10/2026 by Anisa
Deputetë të Partisë Demokratike janë shfaqur në zonën e Rrugës së Durrësit, ku studentë, gjimnazistë dhe qytetarë të Tiranës po zhvillojnë ditën e dytë të protestës para Ministrisë së Arsimit.
Në mbështetje të protestuesve kanë shkuar Luçiano Boçi, Luan Baçi, Tomor Alizoti dhe Bardh Spahia. Deputetët kanë deklaruar se mbështesin kërkesat dhe protestën e studentëve.
Gjatë protestës, Bardh Spahia, mjek me profesion, i ka dhënë ndihmën e parë një personi që raportohet se është plagosur gjatë përplasjeve me efektivët e Policisë së Shtetit. Sipas raportimeve, personi ka pësuar një dëmtim në pjesën e ballit.
Ndërkohë, prania e deputetëve demokratë nuk është pritur njëzëri nga protestuesit. Një grup qytetarësh u ka kërkuar atyre të largohen dhe të mos përfshihen në tubim, duke pretenduar se nuk i përfaqësojnë.
Më shumë se dy orë pas nisjes së grumbullimit në zonën e Rrugës së Durrësit, situata është shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe efektivëve të policisë, si dhe me akte vandalizmi ndaj godinës së Ministrisë së Arsimit.
Përmes një apeli zyrtar, Policia e Shtetit u ka bërë thirrje pjesëmarrësve të ruajnë qetësinë dhe të shmangin dhunën.
“Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në tubim të ruajnë qetësinë, të shmangin çdo akt dhune dhe të distancohen nga personat e maskuar që po sulmojnë punonjësit e Policisë dhe po dëmtojnë pronën publike e private”, thuhet në apelin e policisë./ad
