Last Updated on 27/08/2025 by adminfjala
Deputeti Dashnor Sula është shprehur se deklaratat e Sali Berishës janë kontradiktore ndërsa sipas tij, opozita do të gabonte nëse nuk do të merrte pjesë në seancat plenare në parlament.
Dashnor Sula u shpreh se opozita ka nevojë për një reformim të thellë ndërsa shtoi se Sali Berisha është garancia që Rama të rrijë në pushtet sa të dëshirojë.
“E kemi thënë, e kemi stërthënë se deklaratat e Berishës dhe të tjerëve janë shumë kontradiktore. Do ishte një gabim i madh nëse opozita nuk do ishte në parlament, që nis punimet në shtator.
Kam frikë dhe dyshoj se qasja e Berishës si drejtues i PD, thjesht do vazhdojë në fyerje, sharje dhe akuza. Është për të ardhur keq.
Halli më i madh i opozitës është se ku ka financa dhe para, i gjëmon ato. Kjo nuk ka sens dhe nuk përbën logjikë politike.
Ne po flasim për një reformim të PD, me njerëz të rinj, të pakontestuara dhe që i duan qytetarët shqiptarë. Berisha nuk mund ta sjellë kurrë në pushtet PD. Berisha është garancia dhe siguracioni për Ramën, që PS të rrijë në pushtet aq sa t’i dojë qejfi.”-tha Sula. m.p.
