Last Updated on 15/06/2026 by Anisa
Grupi i protestuesve që udhëtoi gjatë mesnatës nga qendra e Tiranës drejt Rinasit ka ndalur marshimin dhe u thyer në kryeqytet, pas bllokimi të kalimit të tyre nga ana e forcave të rendit.
Forcat e policisë ndaluan grupin e protestuesve disa kilometra larg Aeroportit Ndërkombëtar duke i detyruar të ndërpresin udhëtimin. Marshimi vijoi deri në orëm 02:00.
Policia paralajmëroi se nuk do të lejonte vijimin e protestës në rrugën e Rinasit dhe se do të ndërhynte për të liruar rrugën. Gjatë rreth tre orëve që mbeti i bllokuar fillimisht një krah i autostradës Tiranë-Durrës dhe më pas aksi rrugor drejt Rinasit, automjetet dhe mjetet e transportit u devijuan në rrugë alternative.
Marshimi drejt Rinasit nisi pas përfundimit të tubimit në Sheshin Skënderbej dhe në rrugët e qendrës së Tiranës. Protestuesit përshkuan disa kilometra nëpër kryeqytet, dolën në zonën e Kthesës së Kamzës dhe më pas vijuan marshimin përgjatë autostradës Tiranë-Durrës në drejtim të Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit.
Pjesëmarrësit, të cilët kishin marshuar për rreth 20 kilometra nga qendra e kryeqytetit, u përballën me një kordon policor disa kilometra larg Rinasit.
Në terren ishin të pranishme Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, ndërsa disa mjete të Policisë së Shtetit u vendosën në rrugë për të bllokuar avancimin e protestuesve.
Mbetet e paqartë se kush e mori vendimin për orientimin e marshimit drejt Rinasit, ndërsa disa prej organizatorëve që komunikojnë përmes rrjeteve sociale deklaruan se nuk e mbështesnin këtë lëvizje, duke argumentuar se distanca prej rreth 25 kilometrash ishte e papërshtatshme, veçanërisht për shkak të pranisë së fëmijëve dhe të moshuarve në protestë.
Marshimi u shoqërua me flamuj kombëtarë dhe thirrje kundër qeverisë, ndërsa protestuesit deklaruan se tubimet do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim./a.d
