Last Updated on 17/08/2026 by Anisa
Pas njoftimit të Ministrisë së Brendshme për arrestimin e 49-vjeçarit Ylli Zalla, edhe Policia e Shtetit ka bërë një njoftim zyrtar për arrestimin e të shumëkërkuarit.
Sipas njoftimit të Policisë, 49-vjeçari u kap në një zonë të pyllëzuar në Krujë, ku gjatë momentit të arrestimit të shumëkërkuarit iu gjetën një armë zjarri kallashnikov dhe 3 krehra.
Ndërkohë, Ylli Zalla ka qenë një person me rrezikshmëri të lartë për shoqërinë, ndërsa ka qenë në kërkim që prej vitit 2025, ku në këtë vit në shtëpinë e tij iu gjetën një arsenal armësh, lëndësh plasëse, armë zjarri dhe municion.
Policia e Shtetit
Finalizohet operacioni policor i koduar “Fundi i Arratisë”, për kapjen e një personi shumë të kërkuar dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Operacioni u zhvillua nga Forcat Speciale RENEA, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, strukturat operacionale të DVP Tiranë dhe Komisariati i Policisë Krujë.
Gjatë operacionit, në Krujë, u kap personi shumë i kërkuar Ylli Zalla, i cili kishte mundur t’i shpëtonte disa herë Policisë.
Në kuadër të operacionit “Fundi i Arratisë”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar 49-vjeçarin në një zonë të pyllëzuar. Në momentin e kapjes, atij iu gjet dhe iu sekuestrua një armë zjarri kallashnikov dhe 3 krehra.
Më datë 14 nëntor 2025, në banesën e tij u gjet një arsenal armësh, lëndësh plasëse, armësh zjarri dhe municioni.
Më datë 20 shkurt, në vijim të kontrolleve të ushtruara në zonën përreth dhe pranë banesës së 49-vjeçarit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë gjetën dhe sekuestruan një arsenal armësh, lëndësh plasëse dhe municioni luftarak, lëndë narkotike Cannabis Sativa, uniforma policie dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Gjithashtu, më datë 23 qershor, në vijim të operacioneve për kapjen e tij, gjatë kontrollit në banesën e 49-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë me fishekë në fole, gati për qitje, një celular, municion luftarak dhe një detektor frekuencash.
Materialet procedurale do t’u referohen Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./ad
