Last Updated on 29/07/2026 by Anisa
Dalin detaje të reja nga tragjedia që tronditi këtë të martë fshatin Domen të Postribës, në Shkodër, ku një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu një banesë, duke i marrë jetën një 24-vjeçareje dhe dy fëmijëve të saj të mitur.
Viktimat janë identifikuar si Bleona Çelaj, 24 vjeçe, si dhe dy fëmijët e saj, të moshës 1 dhe 4 vjeç. Mësohet se e reja ishte kthyer vetëm pak kohë më parë nga Gjermania, së bashku me dy fëmijët, për të qëndruar në banesën e vjetër të familjes në fshatin Domen.
Sipas informacioneve paraprake, flakët përfshinë banesën, ndërsa për shkak të terrenit të vështirë, ndërhyrja e zjarrfikësve u vonua. Banesa ndodhet rreth 30 minuta në këmbë larg rrugës kryesore, çka vështirësoi mbërritjen e mjeteve të emergjencës.
Fillimisht u gjet trupi i pajetë i njërit prej fëmijëve, ndërsa më pas, gjatë kërkimeve në rrënojat e banesës së shkrumbuar, u nxorën edhe trupat e pajetë të nënës dhe fëmijës tjetër.
Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Deri tani dyshohet se zjarri mund të ketë qenë aksidental, megjithatë hetuesit nuk kanë përjashtuar as pista të tjera./ad
