Orkat vazhdojnë të befasojnë shkencëtarët me sjellje sa të pazakonta, aq edhe të frikshme. Pas rasteve kur janë parë duke u vjedhur peshqit peshkatarëve, duke sulmuar varka apo duke vrarë peshkaqenë në brigjet e Afrikës së Jugut, tani një sjellje e re është dokumentuar në Gjirin e Kalifornisë. Këta gjitarë detarë janë parë duke goditur me forcë të jashtëzakonshme peshqit diell, aq sa trupat e tyre shpërthejnë në copa. Shkencëtarët po përpiqen të kuptojnë nëse bëhet fjalë për një lojë, një mënyrë stërvitjeje apo një teknikë të sofistikuar për copëtimin e prenë.
Sjellja u vu re për herë të parë në vitin 2021, kur një nga autorët e studimit pa orkat të përplaseshin me peshq diell me një forcë të tillë, sa trupat e tyre copëtoheshin. Nuk bëhet fjalë për një peshk të vogël. Mola mola, i njohur si peshku diell, është një nga peshqit kockorë më të mëdhenj në botë dhe mund të arrijë mbi tre metra gjatësi dhe më shumë se dy tonë peshë. Për ta copëtuar një kafshë të tillë nevojitet një forcë e jashtëzakonshme.
I njëjti fenomen u dokumentua edhe në vitet 2024 dhe 2025. Këtë herë studiuesit ishin të përgatitur dhe arritën të filmonin të gjithë procesin, duke zbuluar se bëhet fjalë për një veprim të koordinuar. Njëra orkë e mbante të palëvizur peshkun diell, ndërsa tjetra merrte hov dhe përplasej me të me shpejtësi maksimale, derisa trupi i tij shpërthente në copa.
Një detaj interesant është se peshqit ishin tashmë të ngordhur përpara se të copëtoheshin. Orkat fillimisht kishin ngrënë organet e tyre të brendshme, pjesën më ushqyese të prenë, dhe vetëm më pas vazhdonin ta godisnin trupin derisa ai të ndahej në copa.
Shkencëtarët ende nuk e dinë me siguri pse orkat sillen në këtë mënyrë. Fillimisht u mendua se mund të ishte një formë loje, por hipoteza më e besueshme është se bëhet fjalë për një teknikë të vërtetë “kasaphane”, e cila u lejon të ndajnë një prenë shumë të madhe në copa më të vogla, më të lehta për t’u gëlltitur dhe të përshtatshme edhe për individët më të rinj të grupit.
Megjithatë, kjo nuk përjashton mundësinë që procesi të shërbejë njëkohësisht edhe si lojë ose si një mënyrë për t’u mësuar të vegjëlve teknikat e gjuetisë dhe të ushqyerjes.
Peshqit diell janë pre të mëdha, por lëvizin ngadalë dhe nuk paraqesin rrezik për orkat. Pikërisht për këtë arsye konsiderohen ideale si për stërvitje, ashtu edhe për të siguruar ushqim të mjaftueshëm për të gjithë grupin.
Hapi i radhës për studiuesit do të jetë identifikimi i grupeve të orkave që përdorin këtë sjellje. Sipas autorëve të studimit, ka shumë mundësi që kjo të jetë një strategji e zhvilluar posaçërisht për të përpunuar dhe ndarë më lehtë një vakt të përbërë nga peshq diell.
