Last Updated on 08/09/2025 by adminfjala
Vetëm disa ditë pasi Belgjika njoftoi se do të vendosë sanksione ndaj Izraelit dhe do të njohë Palestinën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së më vonë këtë muaj, dhjetëra mijëra protestues dolën në rrugët e Brukselit këtë të dielë, për të vendosur simbolikisht një “vijë të kuqe” ndaj luftës në Gaza.
Organizatorët e protestës thonë se ky veprim është rezultat i presionit të vazhdueshëm publik, dhe i bëjnë thirrje qytetarëve të vazhdojnë mobilizimin në rrugë, për të ushtruar ndikim mbi politikat e vendeve anëtare të BE-së.
Të veshur me ngjyrën e kuqe, një simbol i gjakderdhjes dhe vija e kuqe që nuk duhet kaluar, protestuesit kërkuan nga shtetet e Bashkimit Evropian që të marrin qëndrime më të ashpra ndaj qeverisë izraelite, përfshirë vendosjen e sanksioneve të qarta ekonomike dhe politike.
Policia vendore vlerëson se rreth 70 mijë persona morën pjesë në protestë, ndërsa organizatorët raportojnë një pjesëmarrje prej 110 mijë vetash, në një marshim që përfshiu një itinerar prej 3.5 kilometrash në kryeqytetin belg.
Mbi 200 organizata të të drejtave të njeriut dhe agjenci humanitare, përfshirë Oxfam, Mjekët pa Kufij, Amnesty International, Greenpeace, Save the Children dhe të tjera, morën pjesë në këtë aksion të madh solidariteti.
Protesta vjen pak ditë pasi qeveria belge njoftoi se do t’i bashkohet Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës në njohjen e shtetit palestinez gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së këtë muaj.
Gjithashtu, Belgjika është shprehur e gatshme të vendosë sanksione ndaj Izraelit, në varësi të kushteve të caktuara.
Sipas Katrien Van der Heyden nga organizata Oxfam, “Kompromisi që arriti qeveria nuk do të ishte arritur kurrë pa marshimin e mëparshëm dhe pa fushatën ‘Speak up for Palestine’, e cila tani ka mbledhur mbi 100 mijë nënshkrime.”
Kjo fushatë, e zhvilluar në bashkëpunim me qindra aktorë, artistë dhe influencues, kërkon:
-Armëpushim të përhershëm dhe ndalimin e dhunës në territoret palestineze
-Përfundimin e pushtimit të paligjshëm
-Qasje të lirë dhe të sigurt për ndihmën humanitare
-Sanksione ekonomike kundër Izraelit
Edhe pse shumë protestues e vlerësojnë si një hap përpara vendimin e Belgjikës, ata shprehen se kompromiset nuk mjaftojnë. Kërkesa është e qartë: sanksione të plota dhe të pa negociueshme, si dhe veprime konkrete nga BE-ja dhe vendet anëtare të saj.
“Nuk bëhet kompromis me jetët e fëmijëve, me jetët e njerëzve. Si qeveri, duhet të vendosësh një vijë të kuqe që nuk negociohet,” tha Van der Heyden.
Ajo shtoi se ekziston një hendek i madh mes zemërimit të qytetarëve dhe apatisë së politikanëve, duke vënë në pah se ndërsa shoqëria civile kërkon veprim, institucionet politike heshtin dhe vonojnë./e.t
