Last Updated on 23/09/2026 by EL
Të paktën 11 varreza masive në territorin e Serbisë. Dyshimin për vendndodhjen e tyre dhe numrin e lokacioneve e ka bërë publik Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur i Kosovës.
Nga kërkimet e deritanishme janë zbuluar pesë varreza masive jashtë territorit të Kosovës, me më shumë se 950 viktima të luftës.
Sipas Garës, presioni dhe mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë kanë pasur rol në identifikimin dhe hapjen e lokacioneve të kërkimit në Serbi.
Ai përmend pamjet satelitore, të siguruara përmes partnerëve ndërkombëtarë, që sipas tij tregojnë për një bashkëpunim thelbësor me ta, megjithatë Kosova vazhdon të kërkoj rritjen e presionit ndaj institucioneve të Serbisë për të ofruar të dhëna nga arkivat dhe për të lejuar gërmimet në territorin e saj.
Aktualisht kërkime po kryhen në fshatin Kozhle në zonën e Novi Pazar në një zonë të shfrytëzuar për depozitim mbetjesh.
Kosovë po vazhdon procesin e identifikimit të mbetjeve mortore të gjetura gjatë verës në tri varreza masive në fshatrat Kalludër e Vogël dhe Jabukë, në komunën veriore të Zubin Potokut.
Sipas autoriteteve, pas konfirmimit të tri viktimave të para – Idriz Rrecajt, Adem Beqirit dhe Salih Mëziut – po vazhdon puna edhe për identifikimin e njëzet të tjerave.
Që nga koha e luftës rezultojnë ende rreth 1600 persona të pagjetur./et
