Last Updated on 22/10/2026 by Anisa
Dhuna dhe polarizimi nuk duhet të lejohen të bëhen pjesë e përgjigjes ndaj sfidave politike. Këtë mesazh përcolli kancelari gjerman Friedrich Merz nga Mali i Zi në nisje të samitit të Procesit të Berlinit ku marrin pjesë drejtuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të vendeve europiane.
Gjatë fjalës së tij, Merz u bëri thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor të vijojnë reformat dhe të punojnë për të përmbushur objektivin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Ndryshimi duhet të vijë nga ju, nga brenda vendeve tuaja. Ne kërkojmë që vendet e Ballkanit të ulen në tryezë, por progresi dhe reformat duhet të realizohen nga vetë këto vende”, u shpreh kancelari gjerman, duke theksuar se suksesi varet nga puna e përbashkët dhe angazhimi i secilit shtet.
Merz theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian duhet të vijojë, pavarësisht protestave dhe situatave të vështira që po përballen vendet e rajonit dhe ato evropiane.
“Po shohim protesta të cilat po zhvillohen kudo dhe këto protesta po na japin një mesazh të qartë. Ne duhet patjetër të vazhdojmë me zgjerimin e Bashkimit Europian. Dhuna nuk duhet të jetë kurrë përgjigjja dhe nuk duhet të lejohet. Duhet të jemi kundër ndarjeve dhe polarizimit. Nuk duhet të hedhim më shumë benzinë në zjarrin e përçarjeve. Nuk duhet ta lejojmë që ai të kalojë përmes Evropës. Ka thënë janë në kohë të vështira dhe komplekse”, deklaroi ai.
Kancelari gjerman theksoi gjithashtu rëndësinë e normalizimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke u bërë thirrje të dyja palëve të marrin përgjegjësi dhe të shënojnë progres.
“Ne duhet të vazhdojmë edhe me normalizimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Duhet t’i inkurajojmë që palët të mbajnë përgjegjësi dhe të bëjnë progres”.
Ai vlerësoi bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit, duke nënvizuar se integrimi evropian kërkon reforma, bashkëpunim rajonal dhe angazhim të vazhdueshëm./AD
