Last Updated on 02/12/2025 by Monika
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme pranë kryqëzimit të fshatit Rrilë në Lezhë, ku një i ri rreth të tridhjetave, me mbiemrin Pepkola, është dhunuar barbarisht. Sipas policisë, i riu është goditur me sende të forta, duke përfshirë edhe një shkop bejsbolli, dhe ka marrë plagë të shumta.
I dhunuari është transportuar fillimisht në spitalin rajonal të Lezhës për ndihmën e parë mjekësore, ndërsa për shkak të gjendjes së rënduar është dërguar menjëherë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Në deklaratën e parë, i riu ka pohuar se nuk ka njohur autorët e ngjarjes. Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e tyre, duke kontrolluar edhe kamerat e sigurisë të bizneseve për të ndjekur lëvizjet e mundshme të autorëve. Sipas burimeve zyrtare, viktima nuk rezulton të jetë person i skeduar dhe po hetohet për konflikte të mundshme të fundit.
Autoritetet lokale bëjnë apel për çdo informacion që mund të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes, ndërsa hetimet vazhdojnë intensivisht./mxh
