Një tjetër goditje ligjore për Sean “Diddy” Combs.
Producenti muzikor është urdhëruar të paguajë 477,700.50 dollarë për shpenzimet ligjore të NBCUniversal, pasi humbi padinë për shpifje lidhur me dokumentarin “Diddy: The Making of a Bad Boy”.
Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga TMZ, gjykata vendosi që Diddy të mbulojë një pjesë të konsiderueshme të kostove ligjore të kompanisë, e cila ishte paditur nga muzikanti për dokumentarin.
Fillimisht, NBCUniversal kishte kërkuar rreth 990 mijë dollarë për tarifat e avokatëve, por gjykatësi e reduktoi shumën, duke vlerësuar se një pjesë e faturimit ishte e tepruar, ndërsa tarifat për orë të avokatëve u konsideruan të arsyeshme.
Përfaqësuesi i Diddy-t, Juda Engelmayer, e cilësoi vendimin si “vetëm gjysmën e historisë”, duke theksuar se gjykata kishte hequr më shumë se 512 mijë dollarë nga kërkesa fillestare e NBCUniversal.
Padia prej 100 milionë dollarësh ishte depozituar nga Diddy në shkurt të vitit 2025 kundër NBCUniversal dhe kompanisë së produksionit Ample. Ai pretendonte se dokumentari i kishte shkaktuar “dëm serioz reputacioni dhe financiar”.
Në padi, avokatët e Combs pretendonin se dokumentari e paraqiste atë si autor të krimeve të rënda dhe e cilësonte si “përbindësh” dhe “mishërim të Luciferit”, duke e krahasuar gjithashtu me Jeffrey Epstein.
Vendimi i fundit përbën një tjetër zhvillim të rëndësishëm në betejat ligjore të Diddy-t, ndërsa ai vijon përballjen me një sërë çështjesh gjyqësore./mxh
