Biznesmeni kosovar Behgjet Pacolli ka lënë të kuptohet se mund të bëjë publike së shpejti prapaskenat e ndërtimit të aeroportit të Vlorës, një projekt që prej kohësh është shoqëruar me polemika dhe përplasje mes palëve të përfshira.
Pacolli është ortak në shoqërinë VIA, në partneritet me kompaninë 2A Group, në pronësi të biznesmenit Valon Ademi. Megjithatë, marrëdhënia mes tyre është përkeqësuar ndjeshëm, duke u zhvendosur në një betejë gjyqësore për kuotat e aksioneve dhe kontrollin e projektit.
Në një reagim të fundit në Facebook, Pacolli përdori një metaforë të fortë për të përshkruar situatën, duke e krahasuar durimin e tij me një digë që mbushet gradualisht me ujë të turbullt. Sipas tij, kjo “digë” po rëndohet nga intriga, sulme publike dhe zhgënjime të njëpasnjëshme, duke rrezikuar të arrijë pikën e thyerjes.
Ai shprehet se, pavarësisht përpjekjeve për të ruajtur dinjitetin dhe për të përballuar situatën me qetësi, mund të vijë një moment kur do të detyrohet të tregojë gjithçka që ka ndodhur gjatë këtij procesi.
Tensionet janë shtuar edhe më tej pas një zhvillimi të fundit, ku Pacolli denoncoi se përfaqësuesit e tij nuk u lejuan të merrnin pjesë në një mbledhje të thirrur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për projektin e aeroportit të Vlorës. Ndërkohë, më 19 shkurt, Gjykata e Apelit vendosi t’i japë të drejtën e administrimit kompanisë 2A Group, në kuadër të një procesi të lidhur me një kredi prej 100 milionë eurosh të lidhur nga kompania Mabco me fondin Delphos.
Në mesazhin e tij, Pacolli thekson se situata është bërë e papërballueshme dhe paralajmëron se nëse presioni vazhdon, mund të vijë një moment kur “diga” të çahet, duke nënkuptuar një reagim të fortë publik me zbardhjen e plotë të ngjarjeve.
“Ne jemi kthyer në një gjendje që i ngjan një DIGE që duron mbushjen ngadalë me ujë – ujë të turbullt, të rëndë, të ndotur nga lumi që derdhet në të. Këtë mbushje e shtojnë edhe shumë përrenj të vegjël përreth, që sjellin po ashtu llom dhe balte me erëra të padurueshme.
Po i përballojmë me zhgënjim por me dinjitet të gjitha intrigat, fyerjet e goditjet e padrejta nga ata për të cilët gjithmonë kemi mbajtur dorën, zemrën dhe derën hapur. Pikërisht këta janë ata “përrenjtë e vegjël”, të nxitur nga lumi i madh, që e çojnë liqenin drejt mbingarkesës, deri në pikën kur DIGA nuk mund ta përballojë më dhe rrezikon të çahet. Po frikohëm që do te vjen një ditë kur do te bëhët vonë për cdo riparim”,- shkruan Pacolli.
