Last Updated on 19/11/2026 by Anisa
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka arritur në shtëpinë e tij në lagjen “Velania” të Prishtinës, në orët e paradites së kësaj të enjte. Kjo është dita e dytë e vizitës së tij në Kosovë.
Vizita në Kosovë, atij i është mundësuar nga Gjykata Speciale për arsye të forta humanitare, për shkak të gjendjes shëndetësore të gruas së tij.
Edhe në ditën e dytë, ai është sjellë nga automjetet e misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX. Nën masa të rrepta sigurie, Jakup Krasniqi është përcjellë nga objekti i EULEX-it në Fushë Kosovë, deri te shtëpia e tij në lagjen “Velania”.
Siç raportuam edhe dje, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe njëri nga ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare, Jakup Krasniqi, është liruar dje nga qelitë e Hagës dhe ka mbërritur në Kosovë. Bashkëshortja e tij, Sevdije Krasniqi është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Dy muaj më parë, Gjykata Speciale e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 25 vjet burgim ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi lidhur me akuzat për krime lufte, ku akuzohet bashkë me Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin./ad
