Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se ditët në vijim do të jenë vendimtare për zhvillimet në Lindjen e Mesme, duke theksuar se operacionet ushtarake kundër Iranit po japin rezultate të prekshme.
Gjatë një konference për shtyp, Hegseth bëri të ditur se kishte vizituar trupat amerikane të angazhuara në operacionin “Epic Fury” në rajonin e CENTCOM, ku – për arsye sigurie – nuk u zbuluan vendndodhjet e sakta të bazave.
Ai theksoi se fuqia ushtarake amerikane është në rritje, ndërsa ajo e Iranit në rënie, duke shtuar se inteligjenca më e fundit tregon për ulje të moralit në ushtrinë iraniane, dezertime të shumta dhe mungesë të personelit kyç.
Sipas tij, gjatë 24 orëve të fundit është regjistruar një numër më i ulët i raketave dhe dronëve të lëshuar nga Irani, çka konsiderohet si një sinjal i dobësimit të kapaciteteve ushtarake të Teheranit.
Hegseth paralajmëroi se nëse Irani nuk pranon një marrëveshje, Shtetet e Bashkuara do të intensifikojnë edhe më tej veprimet ushtarake. Ai theksoi se presidenti Donald Trump është i gatshëm për një marrëveshje, por nuk tërhiqet nga qëndrimet e tij.
Në deklaratën e tij, ai përmendi edhe liderin e mëparshëm iranian, Ali Khamenei, duke nënvizuar se regjimi i ri në Iran duhet të tregojë më shumë kujdes në përballjen me SHBA-të.
Në përfundim, Sekretari i Mbrojtjes shprehu mbështetje dhe lutje për trupat amerikane të angazhuara në terren, duke theksuar sakrificën dhe përkushtimin e tyre në këtë operacion./mxh
