Familja e Stephen Ogilvie, i cili u plagos rëndë në një sulm me thikë në Belfast dhe ka humbur syrin e majtë, ka kërkuar qetësi dhe ka bërë thirrje që tragjedia të mos përdoret për të nxitur dhunë apo ndarje në shoqëri.
Në një deklaratë të shpërndarë përmes një përfaqësuesi politik lokal, familja u shpreh e shokuar dhe theksoi se në këtë moment prioriteti i tyre i vetëm është shërimi i të afërmit të tyre në spital.
Ata falënderuan qytetarët që ndërhynë menjëherë gjatë sulmit, duke theksuar se veprimi i tyre i shpejtë i shpëtoi jetën djaklit të tyre. Gjithashtu, shprehën mirënjohje për shërbimet emergjente, si dhe për mjekët e infermierët që po kujdesen për të.
Familja nënvizoi se dhuna dhe trazirat që shpërthyen në Belfast pas incidentit nuk janë të pranueshme dhe nuk përfaqësojnë mënyrën e duhur të reagimit. Ata theksuan se protesta paqësore është e vetmja rrugë e drejtë dhe apeluan që askush të mos e përdorë këtë ngjarje për të nxitur urrejtje ndaj migrantëve apo për të krijuar përçarje në shoqëri.
Pas sulmit, në qytet shpërthyen trazira ku grupe njerëzish dogjën automjete dhe shtëpi e bllokuan rrugë, ndërsa autoritetet raportuan tensione të larta në disa zona.
Në të njëjtën kohë, në rrjetet sociale u përhapën thirrje për protesta dhe përshkallëzim të situatës, gjë që u kritikua nga autoritetet dhe figura publike.
I dyshuari për sulmin, një 30-vjeçar me origjinë sudaneze, u paraqit në gjykatën e magjistraturës në Belfast, ku u akuzua për tentativë vrasjeje dhe mbajtje të një arme të ftohtë. Gjykata vendosi ta mbajë në paraburgim, duke refuzuar lirimin me kusht, ndërsa seanca u shty për një datë të mëvonshme.
Gjatë seancës, gjykatësi dënoi ashpër edhe dhunën ndaj shërbimeve emergjente gjatë trazirave, duke paralajmëruar se personat që marrin pjesë në akte të tilla do të përballen me pasoja të rënda ligjore dhe mund të dënohen me burg./mxh
