Ministri i Brendshëm i gjerman Alexander Dobrindt, dënoi sot trazirat që pasuan demonstratat e të rinjve në disa qytete të mëdha të vendit, përfshirë Berlinin, Këlnin dhe Frankfurtin, duke fajësuar grupet e dhunshme për përshkallëzimin e situatës.
“Grupet e dhunshme të së majtës dhe individë problematikë nga komunitetet e emigrantëve morën në mbrëmje nën kontroll demonstratat paqësore që u zhvilluan gjatë pasdites së së shtunës”, deklaroi Dobrindt për tabloidin gjerman “Bild”.
Ai theksoi se personat përgjegjës për trazirat dhe plaçkitjet do të identifikohen dhe do të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre. “Këto shkelje të rendit publik duhet të ndëshkohen me masa të rënda”, u shpreh ministri.
Dobrindt vlerësoi gjithashtu punën e forcave të sigurisë, duke deklaruar se ndërhyrja e policisë parandaloi shpërthimin e episodeve të dhunës në shkallën e atyre që janë regjistruar në Paris.
Sipas tij, prania e dukshme e policisë dhe shpërndarja e forcave në disa zona rezultuan efektive.
Pas demonstratave fillimisht paqësore, ku morën pjesë dhjetëra mijëra të rinj, gjatë mbrëmjes shpërthyen incidente të dhunshme, veçanërisht në Frankfurt dhe Këln.
Në Berlin protestuesit hodhën shishe dhe mjete piroteknike, ndërsa policia përdori topa uji në disa qytete.
Protestat u organizuan nga nisma “Gen Z regelt” (Gjenerata Z merr përgjegjësinë), e cila kishte bërë thirrje për demonstrata paqësore në më shumë se 30 qytete gjermane.
Të rinjtë kërkojnë më shumë financime për shkollat, masa për përballimin e rritjes së kostos së jetesës dhe politika më të forta për luftën kundër ngrohjes globale./mxh
