Last Updated on 29/07/2026 by Anisa
Doganat Shqiptare kanë referuar në Prokurorinë e Posaçme, SPAK, një çështje që lidhet me përdorimin e dokumenteve të falsifikuara, të paraqitura si të lëshuara nga autoritetet shqiptare, për realizimin e operacioneve fiktive të zhdoganimit dhe eksportit nga vendet e Bashkimit Europian.
“Dogana Shqiptare ka referuar në SPAK një çështje që lidhet me përdorimin e dokumenteve të falsifikuara, të paraqitura si të lëshuara nga autoritetet shqiptare, për realizimin e operacioneve fiktive të zhdoganimit dhe eksportit nga vendet e Bashkimit Europian,” tha Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja.
Sipas tij, në skemën e dyshuar janë përdorur materiale të ngjashme me ato zyrtare të administratës doganore shqiptare.
“Duke qenë se në këtë skemë janë përdorur materiale të ngjashme me ato zyrtare të administratës doganore shqiptare, çështja është referuar në SPAK,” u shpreh Beja.
Për rastin është njoftuar edhe Zyra Europiane Kundër Mashtrimit, OLAF.
“Njëkohësisht është njoftuar edhe Zyra Europiane Kundër Mashtrimit, OLAF, me qëllim hetimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie, e cila cenon kryesisht interesat financiare të Bashkimit Europian,” tha ai.
Beja deklaroi gjithashtu se gjatë kësaj periudhe Dogana Shqiptare ka bërë publike disa raste të goditjes së paligjshmërisë në Portin e Durrësit, Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës dhe në degë të tjera doganore.
Sipas tij, rastet janë evidentuar në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe kanë përfshirë shkelje në fushën doganore, si dhe raste të lidhura me trafikimin e mundshëm të lëndëve narkotike.
“Kemi parandaluar dhe goditur jo vetëm shkeljet në fushën doganore, por edhe raste që lidhen me trafikimin e mundshëm të lëndëve narkotike,” deklaroi ai.
“Në çdo rast janë kryer referimet përkatëse pranë organeve kompetente, si në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, ashtu edhe në Prokurorinë e Posaçme, SPAK, sipas kompetencës,” shtoi Beja./ad
