Një prej dëshirave të Dolly Parton do të marrë jetë pas ndarjes së saj nga jeta. Në vitin 2027, fansat e ikonës së muzikës country do të mblidhen në një festival të dedikuar asaj, një projekt që këngëtarja e kishte menduar prej kohësh.
I pagëzuar “DollyFest”, eventi do të zhvillohet gjatë dy fundjavave, në dy prej qyteteve më të rëndësishme për muzikën dhe karrierën e Parton: Nashville dhe Londër. Festivali pritet të sjellë në skenë një numër të madh artistësh, duke krijuar një festë të madhe muzikore në kujtim të këngëtares.
Projekti ishte menduar fillimisht për janarin e vitit 2026, në kuadër të 80-vjetorit të Dolly Parton. Ideja ishte që vetë këngëtarja të ishte pjesë qendrore e eventit, si performuese dhe prezantuese. Megjithatë, për shkak të problemeve shëndetësore, organizimi u shty.
Menaxheri i saj shumëvjeçar, Danny Nozell, ka treguar se përgatitjet kishin avancuar ndjeshëm përpara se Parton të tërhiqej nga projekti në gusht të vitit 2025.
Sipas tij, DollyFest ishte një ëndërr personale e këngëtares, ndaj ekipi i saj ka vendosur ta çojë përpara pavarësisht mungesës së saj.
“Çfarë nisi Dolly, ne do të sigurohemi që të bëhet realitet”, është shprehur Nozell.
Organizatorët e konceptojnë festivalin si një celebrim të muzikës, trashëgimisë dhe ndikimit të Dolly Parton, me pjesëmarrjen e artistëve dhe admiruesve nga vende të ndryshme të botës.
Për momentin, datat konkrete, çmimet dhe detajet e shitjes së biletave nuk janë bërë publike. Gjithashtu, lista e artistëve që do të ngjiten në skenë mbetet ende një surprizë.
Dolly Parton u nda nga jeta më 25 gusht, në moshën 80-vjeçare, pas një beteje të shkurtër me kancerin. Familja e saj organizoi një ceremoni private varrimi më 28 gusht, me pjesëmarrjen e vetëm të afërmve.
Duke qenë se Parton nuk dëshironte një memorial tradicional, familjarët dhe bashkëpunëtorët e saj kanë zgjedhur që DollyFest të jetë një festë e jetës dhe muzikës së saj, duke realizuar njëkohësisht një nga projektet që ajo vetë kishte ëndërruar./mxh
