Last Updated on 14/06/2025 by adminfjala
Presidenti amerikan Donald Trump feston sot, më 14 qershor, ditëlindjen e tij të 79-të, në një ditë të veçantë kur në Uashington D.C. zhvillohet një paradë ushtarake madhështore për nder të 250-vjetorit të krijimit të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara.
Trump mbart rekordin si personi më i moshuar që ka marrë detyrën e presidentit në SHBA, duke tejkaluar paraardhësin e tij Joe Biden, i cili mori detyrën në moshën 78-vjeçare në vitin 2021. Trump ishte 70 vjeç kur nisi mandatin e parë në vitin 2017 dhe është ndër presidentët më të moshuar në historinë amerikane.
Si renditet Trump mes presidentëve më të moshuar kur morën detyrën:
- Donald Trump (mandati i dytë): 78 vjeç e 7 muaj
- Joe Biden: 78 vjeç e 2 muaj
- Donald Trump (mandati i parë): 70 vjeç e 7 muaj
- Ronald Reagan: 69 vjeç e 11 muaj
- William Henry Harrison: 68 vjeç e 23 ditë
Ndërsa në Uashington po zhvillohen festime dhe parada për ushtrinë, në qytete të ndryshme të SHBA-së janë paralajmëruar protesta kundër Trump. Organizata “Indivisible” ka shpallur “Dita Pa Mbretër” si një nga ditët më të mëdha të protestave paqësore, për të kundërshtuar atë që ata e quajnë “tejkalim kompetencash dhe abuzim me pushtetin” nga administrata Trump.
Sipas organizatorëve, më 14 qershor janë planifikuar rreth 2,000 protesta dhe tubime në mbarë vendin./e.t