Last Updated on 12/10/2026 by Anisa
Pas dorëheqjes së Adriatik Kupit, i cili qëndroi për shtatë muaj në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ka reaguar Ministria e Drejtësisë.
Kupi foli për kritikat dhe kundërshtimet me të cilat është përballur gjatë drejtimit të sistemit penitenciar, ndërsa ministria njofton se dorëheqja e tij është pranuar.
Në reagimin e saj, Ministria e Drejtësisë e falënderon Kupin për punën e bërë gjatë muajve në detyrë dhe thekson se prioritet mbetet forcimi i sigurisë në institucionet e vuajtjes së dënimit.
“Pranova sot dorëheqjen e z. Adriatik Kupi nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve. Falënderoj z. Kupi për përkushtimin me të cilin drejtoi sistemin penitenciar gjatë këtyre muajve, teksa objektivi ynë është forcimi i sigurisë në institucionet e vuajtjes së dënimit.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vijon të funksionojë normalisht, ndërsa procedurat për emërimin e drejtuesit të ri do të ndiqen sipas ligjit.
Puna vazhdon për një sistem penitenciar të sigurt, ku çdo person trajtohet me dinjitet dhe në respekt të plotë të të drejtave të tij”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Drejtësisë./ad
