Presidenti i Serbisë, Alesandar Vuçiç ka njoftuar ditën e sotme në një tubim të partisë së tij para Parlamentit serb se brenda pak javësh do të japë dorëheqjen nga detyra.
“Kjo është ndoshta hera e fundit që unë t’ju drejtohem si President i Republikës. I kam shërbyer me besnikëri vendit tim për 14 vjet. E dua Serbinë më shumë se çdo gjë tjetër në botë. Nuk kam qenë kurrë i interesuar për interesat e dikujt tjetër. Nuk kam dashur t’i shërbej askujt tjetër përveç qytetarëve të Serbisë. Ata thanë se nuk do të largohem kurrë nga presidenca, këto janë ditët dhe javët e mia të fundit si President i Republikës”, tha Vuçiç në tubimin e SNS-së para Kuvendit.
Vuçiç njoftoi dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa nuk dha një datë fikse se kur mund ta shpërndarnte parlamentin.
Presidenti serb tha gjithashtu se do ta ndihmonte partinë e tij të fitonte zgjedhjet, përfshirë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të caktuara fillimisht për vitin 2027.
Ai u shpreh se do të propozojë që lista me të cilën do të garojë në zgjedhjet e ardhshme të quhet “Serbia e Bashkuar”, shkruajnë mediat serbe.
“Ky është slogani më i bukur që mund të kemi”, tha Vuçiç.
Ndër të tjera në fjalim Vuçiç u shpreh se disa persona u emëruan në pozicione që nuk e meritonin atë.
“Ne bëmë shumë gabime, njerëzit që emëruam që nuk e meritonin besimin tuaj, njerëz që kujdeseshin për veten e tyre dhe jo për ju. Duhet të heqim qafe shpejt njerëz të tillë. A kemi bërë gabime politike? Po, por ne gjithmonë kemi qëndruar pranë vendit tonë”, tha ai./mxh
