Presidenti populist i Serbisë, Aleksandar Vuçiç deklaroi sot, se do të japë dorëheqjen brenda pak javësh dhe njoftoi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme presidenciale dhe parlamentare, raportoi “Reuters”.
Njoftimi i Vuçiçit, erdhi pas një viti e gjysmë protestash kundër korrupsionit, të udhëhequra nga studentët, të cilat kanë përfshirë mbarë vendin, pas shembjes së strehës së hyrjes, së stacionit hekurudhor në qytetin verior të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona.
Vetëm pak ditë më parë, në Novi Sad, studentët përkujtuan viktimat e tragjedisë së vitit 2024 dhe kërkuan mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme.
“Do të jem president vetëm edhe për disa javë, e më pas do të jap dorëheqjen”, u tha Vuçiç mbështetësve të tij, gjatë një tubimi proqeveritar në kryeqytetin, Beograd.
Mandati i tij i dytë dhe i fundit si president përfundon në mesin e vitit 2027.
Vuçiç tha gjithashtu, se do të ndihmojë Partinë Progresive Serbe (SNS) të fitojë zgjedhjet, përfshirë edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat fillimisht ishin planifikuar të mbaheshin në vitin 2027.
Ai nuk saktësoi se kur do të japë dorëheqjen dhe as kur mund të shpërndajë parlamentin, një kusht i domosdoshëm për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Protestuesit, opozita dhe organizatat për të drejtat e njeriut, pretendojnë se tragjedia në stacionin hekurudhor, ishte një tregues i keqmenaxhimit më të gjerë, të projekteve të ndërtimit nga qeveria dhe i korrupsionit.
Aktivistët e lëvizjes së udhëhequr nga studentët, thonë se synojnë të sfidojnë Vuçiçin dhe Partinë Progresive Serbe (SNS) në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale./mxh
