Ministri britanik i Shëndetësisë, Wes Streeting, ka dhënë dorëheqjen nga qeveria, duke deklaruar se ka humbur besimin në udhëheqjen e kryeministrit Keir Starmer.
Në letrën e dorëheqjes, të publikuar në rrjetin social X, Streeting tha se vendimi i tij vjen pas rezultateve të dobëta të fundit zgjedhore dhe mungesës së qartësisë në drejtimin politik të qeverisë.
Ai theksoi se, pavarësisht arritjeve në sektorin e shëndetësisë, përfshirë uljen e listave të pritjes në sistemin shëndetësor publik NHS dhe përmirësimin e shërbimeve emergjente, situata politike brenda Partisë Laburiste është bërë e paqëndrueshme.
Streeting paralajmëroi se Partia Laburiste po përballet me humbje besimi nga elektorati dhe me rritjen e forcave nacionaliste, të cilat sipas tij përbëjnë një sfidë serioze për unitetin e Mbretërisë së Bashkuar.
Ai gjithashtu kritikoi mungesën e vizionit dhe drejtimit strategjik në qeveri, duke theksuar se vendi po përballet me sfida të mëdha globale dhe teknologjike që kërkojnë zgjidhje më ambicioze.
Në fund të letrës, Streeting shprehu keqardhje për largimin nga posti dhe falënderoi kryeministrin për mundësinë e shërbimit në qeveri, duke shtuar se dëshiron që debati i ardhshëm brenda Laburistëve të fokusohet në ide dhe jo në përçarje personale./mxh
