Last Updated on 17/09/2026 by Monika
Pajisja Pet Scan pritet të jetë në dispozicion të pacientëve në Institutin e Onkologjisë në fillim të vitit 2027. Premtimi u bë nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, gjatë interpelancës në Kuvend.
“Shërbimi Onkologjik është një nga pikat më të ndjeshme. Që nga ky moment, në shërbimin e Onkologjisë, sot në mëngjes, kanë marrë një udhëzim se çfarë do të ndodhë me një pacient që diagnostikohet për herë të parë dhe me një pacient që do të ndiqet pas kirurgjisë. Në janar fillon Instituti i Onkologjisë. Unë ose e sjell Pet-Scan në, ose jap dorëheqjen”, tha Spahiu.
Gjatë interpelancës se kerkuar nga partia demokratike ministrja u ndal edhe tek administrimi i tre shërbimeve të mëdha publike, duke mohuar pretendimet se ato do t’i kalojnë një subjekti privat.
“Ndryshimi i emërtimit të OSHISH nuk nënkupton krijimin e një institucioni të ri privat. Bëhet fjalë për një shoqëri ekzistuese me kapital 100 për qind shtetëror, për t’iu përshtatur nevojave të administrimit të shërbimeve. Nuk kemi transferim të kompetencave publike tek një subjekt privat. Përkundrazi, është me kapital tërësisht shtetëror”, shtoi ministrja e Shëndetësisë.
Por këto deklarata u kundërshtuan nga deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, i cili ngriti pikëpyetje mbi ndryshimin e emërtimit dhe zgjerimin e fushës së veprimtarisë së shoqërisë.
Ministrja Spahiu i cilësoi akuzat si të pavërteta, duke theksuar se shërbimet do të vijojnë të jenë nën administrimin e shtetit./mxh
