Last Updated on 15/01/2026 by Monika
Gjykata e Lartë ka prishur vendimin e Apelit të Posaçëm për ish-prokurorin Aurel Zarka, i përfshirë në dosjen e njohur si “Toyota Yaris”, duke e kthyer çështjen për rishqyrtim në Apelin e Posaçëm me një trup tjetër gjykues.
Vendimi i mëparshëm i Apelit të Posaçëm rrëzoi qëndrimin e SPAK, i cili kërkonte rikualifikimin e veprës penale ndaj Zarkës si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Ky interpretim nuk ishte pranuar nga Apeli, por është vënë tashmë në diskutim nga Gjykata e Lartë.
Ankimi në Gjykatën e Lartë ishte depozituar si nga SPAK, ashtu edhe nga vetë Aurel Zarka, duke e bërë vendimin objekt rishikimi në të dyja drejtimet.
Me këtë vendim, Gjykata e Lartë nuk ka dhënë një verdikt përfundimtar mbi fajësinë apo kualifikimin penal, por ka vlerësuar se çështja duhet të rishqyrtohet nga një trupë tjetër gjykuese e Apelit të Posaçëm.
Dosja “Toyota Yaris” lidhet me sekuestrimin e një shume prej rreth 3.4 milionë eurosh, të gjetura të fshehura në një automjet që udhëtonte nga Belgjika drejt Shqipërisë, një nga rastet më të bujshme të viteve të fundit për dyshime mbi korrupsion dhe përfshirje të zyrtarëve të drejtësisë./mxh
