Publikimi i dokumenteve më të fundit mbi Jeffrey Epstein ka rikthyer në qendër të vëmendjes një nga çështjet më të errëta të viteve të fundit, duke ngritur pretendime të reja tronditëse mbi jetën e tij personale. Mes materialeve të bëra publike gjendet një korrespondencë elektronike që sugjeron se Epstein mund të ketë pasur një fëmijë të fshehtë rreth 15 vite më parë.
Bëhet fjalë për një email të datës 21 shtator 2011, i cili pretendohet se është dërguar nga Sarah Ferguson, ish-bashkëshortja e princit Andrew. Në mesazhin e përfshirë në dosje, ajo shpreh pakënaqësi dhe zhgënjim ndaj Epstein, duke lënë të kuptohet se marrëdhënia e tyre kishte shërbyer si një urë për afrimin e tij me familjen mbretërore britanike. Në një pasazh, ajo shkruan se nuk kishte qenë në dijeni të faktit se Epstein ishte bërë baba.
Media britanike The Independent ka tentuar të marrë një reagim nga Ferguson lidhur me këto pretendime, por deri më tani nuk është dhënë asnjë deklaratë zyrtare.
Publikim masiv dokumentesh dhe emra të njohur
Më 30 janar, Departamenti Amerikan i Drejtësisë publikoi një sasi të jashtëzakonshme materialesh nga dosjet Epstein, rreth 3 milionë faqe dokumente, mijëra video dhe dhjetëra mijëra fotografi. Ky publikim u bë pas tejkalimit të afatit ligjor të përcaktuar nga gjykata.
Dokumentet përmbajnë referenca për lidhjet që Epstein kishte me figura të fuqishme politike dhe ekonomike në nivel global, përfshirë emra si Elon Musk, Bill Gates dhe Sekretarin Amerikan të Tregtisë, Howard Lutnick. Autoritetet kanë theksuar se përmendja e këtyre individëve nuk përbën provë për përfshirje në veprime kriminale.
Reagim i fortë nga avokatët e viktimave
Pas publikimit të materialeve, avokatët që përfaqësojnë të mbijetuarit e abuzimeve të lidhura me Epstein kanë ngritur alarmin për shkelje të rënda procedurale. Brittany Henderson dhe Brad Edwards i janë drejtuar gjykatave federale, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për ndalimin e dëmit të mëtejshëm ndaj viktimave.
Sipas tyre, publikimi i dokumenteve ka ekspozuar identitetin e dhjetëra të mbijetuarve, duke shkaktuar trauma të reja. Ata theksojnë se brenda 48 orëve janë shpërndarë mijëra imazhe që kanë prekur drejtpërdrejt rreth 100 persona.
Avokatët e konsiderojnë të pakuptueshme situatën, duke qenë se urdhri gjyqësor kërkonte qartë anonimizimin e plotë të viktimave përpara publikimit.
Gabime serioze dhe foto sensitive
Skandali u thellua më tej pasi u zbulua se Departamenti i Drejtësisë kishte publikuar gabimisht dhjetëra fotografi nudo, ku shfaqeshin vajza të reja, disa prej të cilave dyshohet se ishin të mitura. Sipas New York Times, rreth 40 imazhe janë realizuar në ambiente që dyshohet se i përkisnin Epstein, përfshirë plazhe dhe dhoma gjumi.
Fotografitë u hoqën menjëherë sapo autoritetet u njoftuan për gabimin. Një zëdhënëse e Departamentit të Drejtësisë deklaroi se po punohet intensivisht për të korrigjuar publikimin dhe për të garantuar mbrojtjen e plotë të viktimave, ndërsa dokumentet do të rishfaqen vetëm pasi të jenë redaktuar në mënyrë të sigurt.
Publikimi i dosjeve, i cili kishte për qëllim transparencën, ka ndezur një debat të fortë mbi përgjegjësinë institucionale, menaxhimin e informacionit të ndjeshëm dhe mbrojtjen e atyre që kanë vuajtur pasojat më të rënda të këtij skandali./mxh
