FBI-ja ka nisur hetimet për një shkelje të mundshme të sistemit të bazës kombëtare të të dhënave kriminale në SHBA. Ky sistem përdoret për të lidhur autoritetet federale, shtetërore dhe lokale, duke u mundësuar atyre akses në informacione të rëndësishme për zbatimin e ligjit në të gjithë territorin e SHBA-së.
Megjithëse nuk dihet se kush mund të qëndrojë pas ndërhyrjes, në shtator FBI-ja kishte njoftuar një hetim ndaj një grupi të njohur hakerësh, i cili pretendonte se kishte vjedhur të dhëna për agjentë të FBI-së përmes portalit të punësimit të agjencisë.
Rasti i FBI-së vjen pas një sulmi të mundshëm kibernetik ndaj Departamentit Amerikan të Bujqësisë (USDA). Punonjësit e këtij institucioni u njoftuan të enjten se një prej sistemeve të tij ishte shënjestruar nga një sulm.
Sipas zyrtarëve të USDA-së, sistemi i prekur përdoret për të kryer pagesat ndaj fermerëve. Deri të premten, nuk kishte të dhëna se sisteme të tjera ishin komprometuar. Megjithatë, zyrtarët kanë ngritur shqetësime se hakerët mund të shfrytëzojnë këtë ndërhyrje për të depërtuar edhe në sisteme të tjera që përmbajnë informacione më sensitive.
Shqetësimeve për sigurinë kibernetike u janë shtuar edhe ndërprerjet teknologjike që kanë prekur sektorin publik dhe atë privat gjatë ditëve të fundit. Një rrjet kompjuterik i brendshëm dhe i klasifikuar, i përdorur nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare (NSA), pësoi një ndërprerje disa ditore, pasi doli jashtë funksionit të martën për shkak të një problemi teknik.
Problemi u shfaq gjatë kryerjes së mirëmbajtjes së sistemit. Burimet theksuan se nuk kishte shenja që ndërprerja të ishte shkaktuar nga një sulm kibernetik./k.m
