Nga Leonard Veizi
Në dhjetorin e acartë të vitit 1914, Europa nuk po përballej thjesht me një dimër të egër, por me makthin e saj të parë industrial — një mekanizëm vdekjeje që po gëlltiste me shpejtësi rininë e një kontinenti të tërë. Plani gjerman për një fitore të rrufeshme ishte thyer mbi supet e miliona ushtarëve, duke e shndërruar entuziazmin fillestar të marshimeve në një përballje statike, të ngrirë në një përzierje makabre balte, rracione të pakta dhe gjaku. Përgjatë një vije të pafundme që gjarpëronte nga valët e ftohta të Detit të Veriut deri në majat e mprehta të kufirit zviceran, burra e djem të rinj ishin ngujuar në llogore të lagështa, ku lagështia depërtonte deri në kockë dhe era e barutit përzihej me atë të vdekjes. Aty, në ato gropa të ngushta e të zhytura në errësirë, njeriu ishte shndërruar në një numër, në një objektiv, në një mish për top që priste urdhrin e radhës për t’u flijuar…
…Por, pikërisht në këtë peizazh ku shpresa dukej se kishte vdekur bashkë me shokët e rënë, në pragun e natës më të shenjtë të vitit, ndodhi diçka që sfidoi logjikën e hekurt të luftës. Në atë heshtje të pazakontë që ra mbi fushat e betejës, shpërtheu ajo që historianët do ta quajnë më vonë “mrekullia e fundit e epokës romantike” — një thirrje e mekur e njerëzisë që refuzonte të dorëzohej para urrejtjes, një shkëndijë drite që lindi nga thellësia e shpirtrave të lodhur për të treguar se, edhe në ferr, njeriu mund të mbetet njeri.
Kënga si armë paqeje
Armëpushimi i Krishtlindjeve nuk lindi nga një vizion politik apo nga ndonjë urdhër diplomatik. Ai erdhi nga një nevojë e thjeshtë dhe dëshpëruese për normalitet. Thelbi i këtij momenti qëndronte te kultura e përbashkët kristiane e ushtarëve që, pavarësisht uniformave, ndanin të njëjtën trashëgimi shpirtërore.
Kur ushtarët gjermanë vendosën pemë të vogla “Tannenbäume” – apo Krishtlindjesh, – mbi buzët e llogoreve dhe ndezën qirinj, kënga “Stille Nacht” – apo siç vjen në shqip “Nata e Qetë”, – u bë ura e parë. Nga ana tjetër e frontit, britanikët iu përgjigjën me të njëjtën melodi, në anglisht. Ky dialog muzikor shkatërroi për pak çaste propagandën që e përshkruante armikun si bishë dhe tregoi se, përtej urrejtjes së imponuar, ushtarët ndanin të njëjtin mall për shtëpinë dhe familjen.
“Toka e Askut” bëhet tokë e të gjithëve
Dalja në “Tokën e Askut” – apo siç njihet në orgjinal “No Man’s Land” – ishte një akt i jashtëzakonshëm guximi. Ushtarët sfiduan instinktin e mbijetesës dhe urdhrat e rreptë për të mos pasur asnjë kontakt me armikun.
Nuk u shkëmbyen vetëm cigare apo ushqime. U shkëmbyen kopsa uniformash, adresa shtëpish, fotografi të bashkëshorteve dhe fëmijëve. Armiku mori emër, fytyrë dhe histori personale.
Një nga momentet më prekëse të këtij armëpushimi ishte kryerja e varrimeve të përbashkëta. Ushtarë që deri një ditë më parë kishin qëlluar mbi njëri-tjetrin, ndihmuan së bashku për të varrosur trupat e të rënëve që ishin dekompozuar mes llogoreve, duke lexuar psalme dhe duke ulur kokën në heshtje. Respekti për jetën dhe vdekjen doli më i fortë se besnikëria ndaj flamurit.
Futbolli, gjuha universale
Ndeshjet e futbollit, të dokumentuara në ditarët e ushtarëve britanikë të Regjimentit të Bedfordshire dhe atyre saksonë, mbeten simboli më i fuqishëm i këtij momenti. Në vend të plumbave, u përdor një top — shpesh i improvizuar me rrecka.
Fusha e betejës u shndërrua në fushë loje. Lufta u pezullua nga një gjest i thjeshtë, duke treguar se konflikti ishte artificial, i imponuar nga lart, ndërsa vëllazërimi ishte spontan dhe njerëzor.
Reagimi i “zotave të luftës”
Komanda e lartë reagoi me frikë. Gjeneralët, të alarmuar nga ky vëllazërim, lëshuan urdhra të rreptë: çdo ushtar që komunikonte me armikun do të përballej me gjyq ushtarak për tradhti.
“Kjo do të shkatërrojë frymën luftarake,” paralajmëronin komandantët.
Ky reagim e zbulon thelbin e ngjarjes: Armëpushimi i Krishtlindjeve ishte një rebelim paqësor. Pushteti e kuptoi se, në momentin kur ushtarët e njihnin “tjetrin” si njeri, lufta humbiste legjitimitetin e saj moral.
Epilogu
Në vitet pasuese, sidomos pas 1915-ës, armëpushime të tilla u bënë pothuajse të pamundura. Përdorimi i gazit helmues dhe egërsimi i luftës zhdukën çdo iluzion romantik. Por dhjetori i vitit 1914 mbetet një dëshmi monumentale.
Armëpushimi i Krishtlindjeve na kujton se lufta nuk është gjendja natyrore e njeriut. Paqja nuk është thjesht mungesë e luftës, por një akt i vetëdijshëm vullneti. Edhe mes baltës, telave me gjemba dhe vdekjes, njeriu mund të zgjedhë të jetë vëlla dhe jo vrasës.

