Nga Leonard Veizi
Askush nuk e di me saktësi nëse ish-kryeministri shqiptar u vra apo u vetvra natën mes 17 dhe 18 dhjetorit të vitin 1981. Nata ishte e errën pis, si në film pa ngjyra, bënte ftohtë dhe krismën e mbytur të revolverit nuk e dëgjoi kush. Pak orë më parë, Mehmet Shehu kishte dalë i tronditur nga një mbledhje e Byrosë Politike, e cila kishte përcjellë jo pak tension tek ai. Fejesa e djalit, Skënderit me volejbollisten Silva ishte zhbërë. Por, kupola e Komitetit Qendror nuk ishte mjaftuar më kaq.
…Fundi i Mehmet Shehut është një nga episodet më enigmatike të historisë së Shqipërisë. Në dhjetor 1981, ai u gjet i vdekur në rrethana të dyshimta, duke e zhytur vendin në një krizë të thellë politike. Versioni zyrtar i kohës e cilësonte si vetëvrasje, por spekulimet për një eliminim politik nuk munguan kurrë. Shumë historianë argumentojnë se Mehmet Shehu u bë viktimë e një lufte për pushtet brenda regjimit, një viktimë e makinerisë që ai vetë kishte ndihmuar të krijonte.
Mehmet Shehu mbetet një figurë që ndan opinionet. Për disa, ai ishte një strateg i aftë dhe një menaxher i zoti, që kontribuoi në modernizimin e Shqipërisë. Për të tjerë, ai ishte simboli i një regjimi të ashpër dhe represiv, përgjegjës për vuajtjet e mijëra qytetarëve.
Ajo që mbetet e padiskutueshme është se Shehu ishte një figurë e fuqishme, një aktor kyç në një nga periudhat më dramatike të historisë shqiptare. Jeta dhe vdekja e tij ilustrojnë kompleksitetin dhe kontradiktat e një epoke që ende formëson kujtesën kombëtare të shqiptarëve.
Para vetvrasjes
Rastësi, dobësi për fëmijët, apo prapavija e një pune armiqësore? Djali i kryeministrit komunist me vajzën e Turdinjve të deklasuar? Pikëpyetje vinin njëra pas tjetrës. Shefi i ashpër i qeverisë, i pacënuar deri në atë kohë, kishte zbritur shkallët e Komitetit Qendror i tendosur e plotë nerv, ndërsa në mendje bluante gjatë gjithë kohës të njëjtën gjë, fundin. Pasi eci pak metra në krah të Enver Hoxhës dhe mori këshillat e rastit, ishte ndarë si hije në terrin që thyhej vetëm nga ca drita neoni të zbehta ndanë rrugës.
Hyri i pavëmendshëm në vilën nr. 30, të blinduar nga rojat e armatosura e civilët, që nuk i ndaheshin në asnjë hap dhe u ngujua në dhomën e tij të gjumit të ngrohur nga kaldaja. Por ambienti sërish ishte i ftohtë. Në veshë i ushtonin zërat kërcënues të atyre që deri në atë çast ai i kishte konsideruar si shokë ideali, apo i kishte nënvlerësuar me përbuzje. Por zhgënjimi nga ajo mbledhje e gjatë ishte edhe më i madh, kur drejt tij hidheshin akuza, të cilat nuk i ishin bërë të ditura asnjëherë gjatë udhëheqjes së tij 27 vjeçare në krye të kabinetit. Akumulimi i gjatë kishte shpërthyer.
Orteku i kritikave në Byronë Politike qe i ashpër edhe pse propozimi në fund nuk ishte dhe aq për t’u marrë parasysh. “Vërejtje e rëndë në kartën e regjistrimit”, nuk ishte fundi i botës, por fati i Mehmet Shehut ishte vendosur që pikërisht këtu, pa e marrë vërejtjen e propozuar, bilanci i tij me jetën të ndërpritej.
Komenti mediatik
Kreu i qeverisë komuniste kishte pak orë që kishte ndërruar jetë dhe në dijeni ishin vetëm Byroja Politike e përbërë nga 13 anëtarë. Megjithatë, dukej se problemi nuk ishte shumë tek kuadrot kryesorë, por si do ta prisnin vdekjen e kryeministrit, masat e thjeshtë. Për këtë arsye, dy mjetet kryesore të komunikimit masiv, Televizioni Shqiptar dhe gazeta “Zëri i Popullit”, morën udhëzimet përkatëse.
Ora 18.00. Në lajmet e para të mbrëmjes folësi i “Tiranës”, Kiço Fotjadhi shfaqet me fytyrë më serioze se netët e tjera. Kronikën kryesore padyshim e zinte vdekja e kryeministrit Mehmet Shehu, duke dhënë edhe shkaqet. Teksa lexoi komunikatën, Kiço Fotjadhi theksoi “vetëvrasje”, duke vijuar pastaj motivin “pas një krizë nervore”. E gjithë kronika nuk ka zgjatur më shumë se një lajm i zakonshëm ndoshta vetëm 40 sekonda, i cili është pasur menjëherë nga një varg kronikash që ishin në kuadër të diskutimeve dhe vendimeve të Byrosë Politike që ishin marrë gjatë punimeve të Kongresit të 8-të.
Lajmet pasqyruan gjithçka kishte të bënte me realizimin e detyrave të planit. Edhe pse në edicionin kryesor të lajmeve, atë të orës 20.00 u prit diçka më tepër për humbjen e kreut të qeverisë komuniste, deklarata zyrtare vazhdonte të ishte e njëjta. Madje, çuditërisht, kur teleshikuesit prisnin ndërprerjen e programeve, dhe futjen e muzikës funebër, në mbrëmje vonë u shfaq një komedi e Teatrit Kombëtar… “Miq te paftuar” e shkruar nga Gjike Kurtiqit, motivuar prej romanit të shkrimtarit çek Jerosllav Hashek.
19 dhjetor 1981
Ashtu si TVSH-ja, gazeta partiake “Zëri i Popullit” e jep shumë të zbehtë lajmin mbi ndërrimin e jetës së kryeministrit shqiptar, Mehmet Shehu. Në këtë datë, duke iu referuar arkivit, gazeta jep një njoftim të Komitetit Qendror, të PPSHsë, Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Këshillit të Ministrave të RPSSH-së, në lidhje me “vetëvrasjen” e Mehmet Shehut.
Njoftimi zë pjesën e djathtë në faqen e gazetës “ZP”, ku shkruhet: “Komiteti Qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë, Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, njoftojnë se natën duke gdhirë data 18 dhjetor 1981, në një moment krize nervore, shoku Mehmet Shehu, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë dhe kryetar i Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, vrau veten”. Në vazhdimësi të nekrologjisë, gazeta bën dhe një jetëshkrim të Mehmet Shehut.
Asnjë lloj komenti, të asnjërit prej udhëheqësve apo shokëve të tij. Shkrimi nuk kishte autor, nuk kishte detaje për ceremoninë e organizimit dhe mbi të gjitha nuk ngushëllohej familja. Lajmit mbi vdekjen e kryeministrit Shehu i bashkëngjiteshin titujt e tjetër të faqes së parë, si: “Plotësojnë planin dhe përgatiten për fillimin e mbarë të vitit 1982”; “Sukseset kanë krijuar besim të plotë për realizimin e detyrave”; “Arritje dhe perspektiva optimiste”; “Kryejnë me shpejtësi kullimin e ngastrave”; “Ndërtuesit në pararojë”; “Ritme të mira në vjeljen e ullirit dhe mbjelljen e drufrutorëve”.
Ndërsa në të njëjtën faqe me lajmin e “vetëvrasjes”, pra në faqen e dytë, figuronin këta tituj, që vijon me shkrimet përkatëse: “Masa të mira për dimërimin e bagëtive; Të ngremë ndërgjegjen e rolin e klasës punëtore në nivelin e detyrave të mëdha; Më shumë vezë për furnizimin e tregut; Për të rritur me përparësi rendimentet në zonën fushore…” etj, etj.
Byroja, “gjyqi” pas vdekjes së Shehut
Edhe pse Kongresi VIII kishte mbyllur punimet e mendohej se gjithçka kishte përfunduar, Enver Hoxha i kërkon Mehmet Shehut të bëjë autokritikë. Sipas vëllimit III “Për Partinë” si shkruan:
“Kam tani një çështje tjetër. Dëshiroj t`i rekomandoj Mehmetit që autokritikën për gabimin politik që ka bërë, t’a përgatisë sa më parë dhe t’a dorëzojë, që të njihen më të gjithë shokët e Byrosë Politike, të cilët janë vënë në dijeni se Mehmeti ka për të bërë autokritikë me shkrim. Përgatitja e autokritikës do të jetë e mirë për Mehmetin, se do ta shpëtojë nga një ankth që po e mundon…”
Shehu përgatiti autokritikën dhe e paraqiti në formën e një projekti paraprak. Por kjo lloj përgjigjeje nuk i kënaqi shokët e Byrosë. Enver Hoxha i kërkoi atij në mbledhjen e jashtëzakonshme të Byrosë Politike, më 17 dhjetor 1981, që të bënte një autokritikë më të thellë e të ndjerë.
Ish- komandanti i Gardës: Mehmeti u vetëvra me “Makarovin” e Zhukovit
Xhafer Peçi, ish komandanti i Gardës së Republoikës në vitet ‘80, – në një intervistë që më ka dhënë vite më parë, – kujtoi mirë se ç’ndodhi ditën kur mori vesh se kryeministri Mehmet Shehu ishte vetëvrarë. Natën e 17 dhjetorit 1981 shërbimet në Bllokun e udhëheqjes vazhdonin normalisht dhe asgjë s’kishte për t’u shqetësuar. Mbledhja e Byrosë Politike kishte përfunduar vonë, por se çfarë ishte diskutuar në të futej në cilësimin “top sekret”. Xhafer Peçi kujtoi:
“Lajmin e vetëvrasjes e mora vesh mëngjesin e 18 dhjetorit. Më mori në telefon zv/ministri i Brendshëm, Xhule Çiraku, i cili përgjigjej për Gardën”. Xhafer Peçi thotë se, për sa kishte ndodhur, ai ishte tronditur shumë, sepse me Mehmetin ishin të njohur të vjetër, kishin luftuar së bashku dhe për më tepër kishte marrëdhënie shumë të mira me të. Me makinën e tij shkon urgjent përpara vilës së kryeministrit, ku fillimisht takohet me Kadri Hazbiun, Xhule Çirakun dhe Llambi Ziçishtin, që në atë kohë ishte ministër i Shëndetësisë. Fillimisht Kadriu me Xhulen e porositin që të mos njoftonte asgjë për ngjarjen derisa të sqarohej gjithçka.
Kujtoi se gjatë kohës që po priste në oborrin e vilës, pyeti shefin e grupit të shoqërimit të kryeministrit, Ali Çenon, se si kishte ndodhur ngjarja dhe nga ai kishte marrë këtë përgjigje: “Ne nuk kemi dëgjuar gjë, asnjë krismë, por po presim se çfarë do të na thonë dhe se si ka ndodhur puna”.
Në orën 9:30 Ramiz Alia e Kadri Hazbiu u nisën në mbledhjen e Byrosë Politike, e cila kishte filluar që një ditë më parë. “Para ikjes, Kadriu na tha që të forconim shërbimet e të vazhdonte ekspertiza mjekësore-ligjore. Ai ishte shumë i tronditur. Në ato çaste pamë Enver Hoxhën që doli nga vila e tij dhe po shkonte për në mbledhjen e Byrosë Politike. Brenda në vilë, ku ishte kryeministri i vdekur, u futën Llambi Ziçishti me njerëzit e tij. Kur dolën prej andej, ata na thanë se, vetëvrasja kishte ndodhur rreth orës 03:00 të natës”, ka dëshmuar në kujtimet e tij Xhafer Peçi. Ai ttha gjithashtu se arma me të cilën u vetëvra Mehmeti, ishte një “Makarov”, regjistruar si dhuratë për kryeministrin nga mareshalli Zhukov, gjatë vizitës së tij në Shqipëri.
Varrimi
Në kujtimet e tij, Xhafer Peçi është shprehur se, nën kujdesin e Kiço Kasapit, sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, u bë varrimi i Mehmet Shehut. Arkivolin me trupin e Kryeministrit e hipën në një “Zuk” të zi, ndërsa pjesëmarrës në ceremoninë e përmortshme ishin vetëm familjarët. Ish-komandanti i Gardës shtoi se ai vuri në dispozicion 10 nga ushtarët e Gardës. Mehmet Shehu, i cilësuar si “armik i popullit”, nuk kishte vend në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, por në varrezat publike të Sharrës.
Muho Asllani: Si u kryqëzua Mehmeti në Byro
Gjatë një interviste dhënë për gazetarin Leonard Veizi, është shprehur se mbas kongresit 8-të nëntorit të vitit 1981, nga anëtar i KQ-së, u zgjodh anëtar i Byrosë Politike. Ndërkohë që nga viti 1979 ishte emëruar si ministër shteti e ndihmës i kryesor i kryeministrit Shehu. Por ishte gjithashtu dhe Sekretar i Byrosë së Partisë së Kryeministrisë.
Duke rikujtuar edhe një herë atë ditë të largët të dhjetorit 1981, Muho Asllani ka rrëfyer: – “Një ditë Mehmeti më thirri, me tha “Muho, kërkoj që të bëhet mbledhja e organizatë së partisë sot pasdite. Dua të bëj autokritike”. Unë mblodha supet. “Ke dëgjuar që djali im është fejuar me një vajzë nga Turditë?”, më pyeti. I thashë nuk e kisha dëgjuar një gjë të tillë. Ai më shpjegoi se djali i tij ishte lidhur me Silva Turdiun, një vajzë me probleme në biografi dhe kërkoi mbledhjen e organizatës që të bënte autokritikë si prind e si komunist. Atëherë i them: “Shoku Mehmet ju jeni anëtar i Byrosë Politike dhe jo një komunist i thjeshtë. Do konsultohem me aparatin KQ, për këtë mbledhje jashtë radhe”.Komunikoj në telefon me Simon Stefanin, i cili në atë kohë ishte sekretar i KQ. Simoni tha: Për këtë çështje nesër do të zhvillohet mbledhja e Byrosë Politike, dhe shpejt do të bëhet i njohur dhe rendi i ditën. Mbledhja filloi në orën 09:00 dhe si gjithmonë e hapi Enver Hoxha. Na bëri të ditur që në fillim se në këtë mbledhje Mehmeti do jepte shpjegimet për fejesën e djalit të tij me një vajzë nga një familje me probleme. Pas Enverit u ngrit Mehmeti, i cili ishte përgatitur me shkrim. Bëri një autokritikë sipas tij shumë të thellë, duke thënë kryesisht: “Nuk jam marrë sa duhet me edukimin e fëmijëve, për t’i përgatitur për jetën dhe që të mos bien në gabime, të mos njollosin figurën e tyre, por dhe timen e të Fiqretit. Por, me sa duket ky është defekt i punës time, pasi jam marrë shumë me punën”. U bënë disa pyetje pothuaj nga të gjithë anëtarët, si p.sh: Pse re në gabime? Pse nuk u thellove? Pse nuk kërkove ndihmën e partisë? Etj. Mbasi u dha përgjigje pyetjeve, i pari u ngrit për të diskutuar Simon Stefani. Ai e kritikoi Mehmet Shehun që nuk ka punuar mirë me edukimin e fëmijëve dhe propozoi t’i jepej një vërejtje e rëndë me shënim në kartën e regjistrimit, sipas statutit të partisë. Mbledhja u shty për të nesërmen”.
Testamenti i Mehmetit
Të nesërmen Byroja Politike u mblodh sërish. Enver Hoxha bëri të ditur lajmin se Mehmet Shehu vrau veten e se kishte lënë dhe një letër me porosi që ta hapi vetëm shoku Enver dhe se këtë lajm ai vetë e kishte marrë nga Ramiz Alia. Muho Asllani është shprehur se Enveri letrën ia dha Ramizit për ta lexuar në Byro. “Pas kësaj tha: “Letrën jepua shokëve ta shikojnë të gjithë”. Të them të drejtën unë që kisha punuar dy vjet e gjysmë me Mehmet Shehun dhe çdo ditë kisha punë me shkresat e tij ia njihja mirë shkrimin. Ai ishte origjinal shkrimi i tij. Pasi e pamë letrën Enveri i dha fjalën Hekuran Isait duke i thënë: “Diskuto sipas përgatitjes që ke bërë dje, jo sot pas vdekjes”. Foli Hekurani dhe u shpreh se ishte dakord me propozimin e Simon Stefanit. Pastaj e mori fjalën Enver Hoxha i cili tha: “Do ta bëj diskutimin siç do ta bëja dje, pa e vrarë veten Mehmet Shehu”. Edhe Enveri ishte dakord me atë propozim”. Muho Asllani ka thënë gjatë intervistës se janë hedhur shumë hipoteza, hamendje e diskutime, nga shokët, bashkëluftëtarët e familjarë e Mehmet Shehut. “Duke u nisur nga këto rrethana bindja ime është se ai ka vrarë veten. Ishte njeri me kompleksitet të veçantë, njeri që shumë herë nuk kuptohej, sepse e kishte kalitur jeta e koha në shumë fusha. Në bazë të dokumenteve që na u servirën dhe që një pjesë ishin të shërbimeve të huaja, sekrete, për masat që u morën ndaj Mehmet Shehut, u vendos me unanimitet. Flas gjithmonë për ato dokumente që kam parë me sytë e mi në atë kohë”.
Konspiracionet
E folur gjërësisht është se eliminim ishte i orkestruar nga Enver Hoxha dhe aparati i tij i sigurisë. Kjo teori sugjeron se vdekja e Mehmet Shehut nuk ishte vetëvrasje, por një vrasje e planifikuar. Pretendohet se Hoxha e pa Shehun si një kërcënim për pushtetin e tij absolut, veçanërisht duke pasur parasysh ndikimin e madh të Shehut dhe pozicionin e tij në shtet.
Disa analistë besojnë se Shehu ishte viktimë e përplasjeve të brendshme për pushtet brenda regjimit komunist. Në këtë skenar, ai mund të jetë eliminuar nga një fraksion rival që kërkonte të dobësonte pozitën e tij dhe të forconte kontrollin e Hoxhës.
Përkrahësit e kësaj teorie argumentojnë se akuzat ndaj Shehut si “tradhtar” dhe “agjent i shumëfishtë” ishin një justifikim i krijuar për të legjitimuar eliminimin e tij pas vdekjes.
Në favor të kësaj teorie është edhe fakti që pas vdekjes së Shehut, familja e tij u persekutua ashpër, duke u trajtuar si “armiq të popullit.”
Një tjetër teori sugjeron se Mehmet Shehu mund të jetë eliminuar nga shërbime të huaja të inteligjencës, si CIA, KGB ose agjentura të tjera, për shkak të rolit të tij kyç në regjimin komunist. Kjo teori lidhet me akuzat pas vdekjes së tij, ku ai u cilësua si agjent i disa shërbimeve të huaja. Sipas kësaj hipoteze, ai mund të jetë parë si një figurë e papërshtatshme për interesat e këtyre shërbimeve.
Arrestimet
Nga 21 të arrestuarit pas vdekjes së Mehmet Shehut, ata që kishin edhe pozitën më të lartë partiake e shtetërore nuk i shpëtuan ndëshkimit. Kështu, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Ziçishti, Llambi Peçini u pushkatuan. Me gjithë Fiqret Shehun, bashkëshorten e ish-kryeministrit, që vdiq në burg gjithsej janë 5 të vdekur nga procesi e vitit 1982. Në këtë mënyrë, të gjithë ata që mund të dinin diçka mbi vdekjen enigmatike të kryeminsitrit u eleminuan, duke e bërë edhe më të misterme të gjithë situatën.
Ndërsa teoritë konspirative mbi vdekjen e Mehmet Shehut mbeten të shumta, e vërteta mbetet e mbuluar me një perde misterioze. Zyrtarisht, Shehu u akuzua pas vdekjes si “tradhtar” dhe “agjent i shumëfishtë,” akuza që përforcuan imazhin e tij si një figurë enigmatike dhe të dyshimtë.
Pozicionet
Mehmet Shehu u formua si ushtarak, duke pasur një karrierë të hershme në lëvizjen antifashiste gjatë Luftës së Dytë Botërore. I lindur më vitin 1913 në Çorrush të Mallakastës, u përfshi herët në lëvizjet politike. Studimet e tij për ushtarak në Itali dhe pjesëmarrja në Luftën Civile Spanjolle si pjesë e Brigadave Ndërkombëtare, – ku drejtori batanionin IV të brigadës XII ndërkombëtare e quajtur “Garibaldi”, – treguan përkushtimin e tij ndaj ideologjisë së majtë.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, u shqua si një prej ushtarakëve më të spikatur të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, Ishte komandant i Brigadës së I Sulmuese, e më pas i Divizioni të Parë.
I shkolluar në akademi ushtarake italiane dhe sovjetike, ai solli në Shqipëri një disiplinë të hekurt dhe një botëkuptim të papajtueshëm me kundërshtarët. Pas luftës, aftësitë e tij si organizator dhe vendosmëria e bënë atë një figurë qendrore në strukturat e shtetit komunist.
Mehmet Shehu mori poste të larta gjatë rregjimit komunist si Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, ministër i Brendshëm, i Mbrojtjes. Emërimi i tij si kryeministër i Republikës Popullore të Shqipërisë më 1954 vulosi rolin e tij si një nga arkitektët kryesorë të regjimit.
Shehu shihej si një njeri i vendosur dhe i pamëshirshëm, i cili e përdorte fuqinë me efikasitet, por shpesh edhe me ashpërsi të skajshme. Ai ishte një nga zbatuesit kryesorë të kolektivizimit të bujqësisë dhe industrializimit të vendit, procese që transformuan ekonominë shqiptare, por që lanë pas varfëri dhe represion. Politikat e tij ishin të ashpra, shpeshherë të papajtueshme me nevojat reale të popullsisë, dhe zbatimi i tyre shoqërohej nga një kontroll i hekurt mbi jetën politike dhe shoqërore. Ai konsiderohej krahu i fortë i Enver Hoxhës, duke ndjekur një linjë të prerë kundër “armiqve të brendshëm” dhe “devijimeve ideologjike”.
Në një regjim ku devotshmëria ndaj partisë dhe udhëheqësit ishte kusht për mbijetesë, Shehu ishte simbol i një ashpërsie që përkonte me vetë natyrën e sistemit totalitar.
