Last Updated on 23/09/2026 by EL
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) ka paraqitur një ekspozitë me dokumente origjinale mbi historikun e marrëdhënieve Shqipëri-Kinë. Për herë të parë, informacione lidhur me fillesat dhe ecurinë e qarqeve diplomatike, si edhe të marrëveshjeve ekonomike dhe kulturore mes dy vendeve, u prezantuan në Auditor mes të ftuarve, mësuesve, nxënësve dhe publikut të gjerë.
Në çeljen e kësaj ekspozite ishin të pranishëm Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i DPA-së, Z. Endrit Musaj, Zëvendësambasadori i Republikës Popullorë të Kinës në Shqipëri, z. Huang Xuehu, gazetari i filialit në shqip të “China Media Group”, Z. Gëzim Podgorica, studiuesi i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Z. Gjon Boriçi, si edhe përfaqësuesit e Institutit Konfuci, Znj. Jin Qiao dhe Z. Glendi Xhani.
Në fjalën e mbajtur, Z. Musaj u shpreh se ekspozita na fton të shohim marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kinës përmes një këndvështrimi të veçantë, të bazuar në dokumentin arkivor. “Është gjithmonë një kënaqësi që mjediset e arkivit bëhen jo vetëm hapësira të ruajtjes së kujtesës historike, por edhe vende takimi, dialogu dhe reflektimi mbi të kaluarën tonë të përbashëkt. Dokumentet kanë një mënyrë të veçantë për të na afruar me historinë. Ato nuk na flasin vetëm me gjuhën e kujtimeve të vonshme, por me gjuhën e kohës kur janë krijuar. Në to gjenden, vendime, korrespondenca, takime, ide dhe marrëdhënie, që të marra së bashku na ndihmojnë të kuptojmë më mirë një periudhë të caktuar historike. Dokumentet e përzgjedhura në këtë eskpozitë na japin mundësinë të ndjekim gjurmët e marrëdhënieve Shqipëri-Kinë në etapa të ndryshme, duke pasqyruar aspektet diplomatike, politike, ekonomike dhe kulturore”, tha zv.drejtori i Përgjithshëm i DPA-së.
Ndërsa, Z. Podgorica vlerësoi përpjekjet e DPA-së për të ndërtuar ura bashkëpunimi dhe komunikimi me arkivën homologe të Kinës. “Mundësitë e komunikimit janë të gjera dhe sjellin një efekt pozitiv, sepse vendosin që trafiku i bashkëpunimit në urën tonë të miqësisë të rritet vazhdimisht. Nëse ne i nxisim dhe i gjejmë pikat e bashkëpunimit, jam i sigurt që puna dhe miqësia jonë do të rritet vazhdishmisht”, përfundoi Z. Podgorica.
Mes dokumenteve origjinale që u paraqitën në këtë ekspozitë të vizituar edhe nga nxënësit e gjimnazit “Dertliu”, bënin pjesë procesverbali i vitit 1949 përmes të cilit pala kineze kërkonte vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë, si edhe dokumenti lidhur me hapjen e ambasadës shqiptare në Kinë në vitin 1954.
Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të Javës Kulturore Kineze dhe në vazhdën e takimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Arkivave, Z. Auron Rrokaj me ambasadoren e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, Znj. Pang Chunxue. Në qendër të bisedimeve të tyre ishte përpjekja për ngritjen e urave të bashkëpunimit mes arkivave simotra, në vazhdën e miqësisë tradicionale Shqipëri-Kinë.






