Hull City është rikthyer zyrtarisht në Premier Ligë pas një finaleje dramatike në “Wembley”, ku mposhti Middlesbrough me rezultatin minimal 1-0 në “play-off”-in e Championship. Një ndeshje shumë e luftuar, e vendosur vetëm në sekondat e fundit të kohës shtesë, i dha skuadrës së drejtuar nga Sergej Jakirovicc rikthimin në elitën e futbollit anglez pas 9 vitesh mungesë.
Momenti vendimtar erdhi pas një aksioni të Hull City në zonën kundërshtare. Portieri Sol Brynn nuk arriti të kontrollonte një krosim në zonë dhe topi përfundoi te McBurnie, i cili nga afër e dërgoi në rrjetë për golin e vetëm të takimit.
Kjo finale u zhvillua në një atmosferë të pazakontë edhe për shkak të polemikave që paraprinë ndeshjen. Southempton, skuadra që kishte fituar fillimisht gjysmëfinalen ndaj Middlesbrough, u përjashtua nga “play-off”-i pas vendimit të Federatës. Klubi u shpall fajtor për spiunimin e seancave stërvitore të kundërshtarëve dhe u largua nga kompeticioni vetëm pak ditë përpara finales.
Pas këtij vendimi, Middlesbrough u rikthye në garë dhe mori pjesë në finalen e “Wembley”, megjithëse pati shumë paqartësi dhe probleme organizative gjatë javës së përgatitjeve. Pavarësisht situatës së krijuar, Hull City ruajti qetësinë dhe arriti të menaxhojë më mirë momentet vendimtare të ndeshjes.
Hull City siguroi ngjitjen në Premier League pa pësuar asnjë gol në dy ndeshjet gjysmëfinale dhe në finalen e “play-off”-it. Gjithashtu, skuadra bëhet ekipi i parë që nga viti 2010 që arrin të ngjitet në elitë pasi kishte mbyllur sezonin e rregullt në vendin e gjashtë./mxh
