Më shumë se 80% e rezervave emergjente të naftës të premtuara nga vendet anëtare të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA) në mars janë tashmë në treg, njoftoi të premten drejtori ekzekutiv i agjencisë, Fatih Birol.
Sipas Birol, rreth 325 milionë fuçi nga 400 milionë fuçitë e premtuara fillimisht janë liruar deri tani. Masa ishte ndërmarrë për të zbutur ndërprerjet e furnizimit të shkaktuara nga konflikti në Lindjen e Mesme.
Birol paralajmëroi se tregjet globale të energjisë vazhdojnë të përballen me presion të madh, veçanërisht për furnizimet me naftë. Sipas IEA-së, sulmet ukrainase ndaj rafinerive ruse kanë shtuar gjithashtu presionin mbi tregun, duke kufizuar furnizimet dhe duke ndikuar në rritjen e çmimeve.
Në mars, IEA ra dakord për lirimin e 400 milionë fuçive, në atë që e cilësoi si operacionin më të madh të koordinuar të rezervave emergjente në historinë e saj.
Ndërkohë, vendet e G7 kanë rënë dakord të lirojnë edhe 100 milionë fuçi naftë dhe karburante nga rezervat emergjente gjatë një periudhe katërmujore. Një pjesë e konsiderueshme e këtij vëllimi pritet të dalë në treg gjatë 20 ditëve të para.
G7 ka rënë gjithashtu dakord të bashkërendojë mirëmbajtjen e rafinerive dhe të shmangë kufizimet e eksporteve të energjisë mes vendeve anëtare. IEA-së i është kërkuar të monitorojë zbatimin e masave dhe të raportojë mbi ndikimin e tyre brenda 20 ditësh./mxh
