Last Updated on 21/07/2026 by EL
Autoritetet italiane kanë zbuluar dhe sekuestruar 770 kilogramë kokainë të pastër në portin Vado Ligure. Kështu raportojnë mediat në Romë duke saktësuar se droga ishte fshehur midis dhjetëra paletave me banane, brenda një kontejneri frigoriferik që vinte nga një nga portet kryesore të Ekuadorit.
Ajo që bie në sy nga pamjet e publikuara nga Guardia di Finanza, është se në disa kuti të drogës sipër qëndron flamuri i Serbisë. Droga e sekuestruar, nëse do të hidhej në treg, do të kishte gjeneruar fitime për organizatat kriminale me një vlerë prej rreth 250 milionë eurosh.
Deri më tani nuk është bërë e ditur nëse ka ndonjë person të arrestuar, apo ndonjë pistë hetimi për njerëzit e përfshirë në këtë përpjekje të trafikimit të drogës, teksa operacioni konsiderohet si ndër më të rëndësishmit në luftën kundër bandave në vitet e fundit. /et
