Ushtria polake ka gjetur një dron të dyshuar ushtarak rus pranë një plazhi në bregdetin e Detit Baltik, në veri të Polonisë.
Ministri polak i Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz, tha se droni u gjet në zonën e Rusinowos, pranë Jarosławiecit. Sipas tij, kontrollet e para tregojnë se bëhet fjalë për një mjet fluturues ushtarak pa pilot, me origjinë nga Rusia.
Autoritetet kanë izoluar zonën dhe po kryejnë procedurat për sigurimin e vendit dhe të pajisjes së gjetur. Ende nuk është bërë e ditur se si droni ka përfunduar në territorin polak.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm polak, Radosław Sikorski, ka deklaruar se në rast të një agresioni rus ndaj NATO-s, vendet europiane të Aleancës do të ishin në gjendje të vepronin edhe pa pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara.
Deklaratat vijnë në një moment tensioni të shtuar në rajon, pas një sulmi me dron ndaj një treni pasagjerësh në Ukrainë, pranë kufirit me Poloninë.
Për sulmin, Kievi dhe Bashkimi Europian kanë fajësuar Rusinë./mxh
