Last Updated on 14/09/2026 by EL
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Albana Koçiu, ka reaguar pas alarmit fals për bombë në shkollën “Emin Duraku” në Tiranë, në ditën e parë të mësimit.
Telefonata për vendosjen e një bombe u bë rreth orës 06:30 të mëngjesit, ndërsa pas kontrolleve, njoftimi rezultoi i pavërtetë. Hetimet nisën menjëherë nga strukturat e Antiterrorit, të cilat gjurmuan numrin nga ku ishte kryer telefonata.
Sipas burimeve, në pranga është vënë Mandi Jatagani, i cili mësohet se ka marrë pjesë edhe në protestat e zhvilluara për më shumë se 105 ditë para Kryeministrisë.
Reagimi i plotë:
Një alarm i rremë për bombë në një shkollë në Tiranë, ditën e parë të mësimit, kur oborret janë të mbushura plot me fëmijë, nuk është një shaka e hidhur, nuk është një test cinik për reflekset e Policisë së Shtetit dhe as një lajthitje e rastësishme e një mendjeje të papjekur, por një çmenduri e mirëfilltë kriminale.
Kjo lloj çmendurie që shpesh tolerohet nën alibinë e një “lirie” pa fre, nuk ka asgjë të përbashkët me lirinë e vërtetë.
Këtyre që ndosin protestën, që e ngatërrojnë lirinë me anarkinë e mendjeve të tyre të boshatisura, duke e kthyer hapësirën tonë publike në një fushë eksperimentesh të dështuara, ligji duhet t’u tregojë shumë shpejt se Shqipëria nuk është një teatër ku mund të luajnë falas dramat e tyre të sëmura.
Refuzimi i këtyre sjelljeve anormale duhet të jetë qëndrim i të gjithë shoqërisë./et
