Last Updated on 24/06/2026 by Anisa
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka kërkuar në seancën gjyqësore që vazhdon prej paradites së kësaj të mërkure, që dëshmitarë në procesin ndaj tij të thirren edhe kryeministri Edi Rama, ish-kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla.
Sipas tij dhe avokatit Kujtim Cakrani, këta persona duhet të pyeten nëse gjatë kohës që kryetar Kuvendi ka qenë Ilir Meta, a janë ndikuar politikisht prej tij për të votuar ligjin për minierat.
“SPAK nuk pyeti as Ramën, as Ruçin, as zotin Balla që të vinin e të na thoshin: “A i ka takuar Meta për këtë ligj?”. Ndaj do t’i kërkoj që të vijnë e të dëshmojnë si dëshmitarë. Dua apo s’dua, këta më dalin si dëshmitarë që duhen pyetur. Duhet të pyeten Esmeralda Shkjau, Eduart Shalsi, Namik Kopliku, deputet i qarkut Shkodër, i cili nuk është pyetur, si edhe kryesekretarja e Kuvendit.
Këto janë veprime hetimore që SPAK duhet t’i kishte kryer. Dëshmitari tjetër që kërkojmë të thirret është Edi Rama. Duam të provojmë nëse ndoshta ka biseduar dhe ne nuk dimë gjë. Ligji i minierave është amenduar në këtë periudhë dhe duam të na thotë çfarë ka ndodhur me këtë ligj.
Kërkojmë zotin Gramoz Ruçi si dëshmitar, që të kristalizohet kjo çështje dhe të merren disa mesazhe aty-këtu. Po mbajmë në burg ish-presidentin.
Të thirren edhe deputetë të tjerë, si kreu i grupit parlamentar, Petrit Vasili, që të tregojë nëse ka folur me Monikën.
Nuk dua të abuzoj dhe të them se duhet të vijnë të gjithë deputetët që kanë votuar ligjin. Nuk po them që të vijnë të gjithë ata që kanë ngritur dorën. Kërkojmë gjithashtu që të vijë si dëshmitar edhe Taulant Balla”, është shprehur avokati Kujtim Cakrani në seancë.
Në mbyllje të fjalës së tij, Ilir Meta ka bërë me shenjë nga brenda kafazit të qelqtë, për të folur, dhe avokati pak momente më pas e ka mbyllur deklaratën e tij. Veç ligjit të minierave, në seancë është folur edhe për një vilë të çiftit Meta në kompleksin “Rolling Hills”, por që nuk është blerë.
Avokati: O zoti Meta, të lutem prit sa të mbaroj.
Monika Kryemadhi: Mbaro, se do të flasim edhe ne.
Avokati: Pra, për ligjin e minierave këto kisha.
Gjyqtarja: Fjalën e ka zoti Meta.
Ilir Meta: Duke mbështetur qëndrimet e avokatit tim, dua të theksoj se, nëse gjykata e çmon të arsyeshme, do të ishte me vlerë të thirrej një ekspert i pavarur i minierave për të parë kush është subjekti, sa kanë përfituar dhe nëse ka qenë një ligj i dobishëm apo diçka tjetër.
Ilir Meta: Mesa di unë, kanë përfituar rreth 300 subjekte dhe janë shtuar rrugës edhe 300 të tjerë. Jemi përballë një fantazie. Flasin për shtëpia këtu, shtëpia atje, dhe biem viktima të këtyre krijimeve.
Unë s’jam marrë kurrë me punë shtëpish; kryesisht me këtë merren gratë. Jemi zhvendosur, pasi në bllok ndërtesat kishin probleme dhe vetë blloku ka shumë probleme akustike etj. Edhe unë kisha probleme për të dalë shëtitje e të tjera.
Prandaj vendosëm të iknim. Për mua kishte rëndësi të isha jashtë bllokut. Unë nuk kam qenë dakord për në Rolling Hills, sepse me tre fëmijë ishte problem shkolla, vajtje-ardhje, por edhe sepse aty kishte politikanë dhe figura të njohura, gjë që nuk do të më jepte kënaqësi për të qëndruar atje.
Ne nuk e dinim që do të gjendeshin telefona. Më the e të thashë, se po të kisha vendosur, do të jetoja atje me komshi grekun apo jo, se ai ishte zotëri, në fakt. Unë skam asnjë përfshirje as për përfshirjen e këtij ligji./ad
