Kylie Jenner ka folur hapur për planet e saj për një tjetër ndërhyrje estetike, duke pranuar se dëshiron t’i zmadhojë sërish implantet e gjoksit.
Gjatë podcastit “Better Half With Stas and Vic”, ylli i “The Kardashians” tha se prej kohësh mendon për një përmasë më të madhe. “Dua t’i kem më të mëdha”, u shpreh 29-vjeçarja, duke shtuar me humor se dëshiron që “gjoksi të hyjë në dhomë para saj”.
Mikeshat e saj, Anastasia Karanikolaou dhe Victoria Villarroel, treguan se Jenner ka folur për këtë ndryshim prej rreth një viti. Karanikolaou madje tha me shaka se Kylie ka një “fiksim me gjoksin e madh”.

Edhe pse fillimisht kishte menduar ta kryente ndërhyrjen para ditëlindjes së saj të 29-të, Jenner pranoi se me shumë gjasë nuk do ta bëjë as para se të mbushë 30 vjeç. Ndërkohë, ajo tha se dëshiron të bëjë një piercing në kërthizë dhe ta dekorojë me diamante.

Kylie kishte tërhequr vëmendjen edhe vitin e kaluar, kur zbuloi publikisht detajet e ndërhyrjes së saj të mëparshme. Në një koment në TikTok, ajo tregoi se kishte vendosur implante silikoni 445 cc, me profil të moderuar dhe të vendosura pjesërisht nën muskul.
Ajo zbuloi gjithashtu emrin e kirurgut të saj, Dr. Garth Fisher, duke thënë se pas publikimit të informacionit, klinika e tij ka marrë vazhdimisht telefonata nga persona që kërkonin detajet e saj.

Gjatë podcastit, Jenner foli edhe për rrjetet sociale, duke konfirmuar se aktualisht i menaxhon vetë llogaritë e saj personale, si dhe ato të Kylie Cosmetics dhe Khy. Megjithatë, ajo planifikon t’ia besojë këtë detyrë dikujt tjetër vitin e ardhshëm, pasi menaxhimi i rrjeteve sociale i merr shumë kohë.
Ndërkohë, Kylie hodhi poshtë edhe thashethemet për një prishje të miqësisë me Anastasia Karanikolaou, pasi Stassie mungoi në festën e ditëlindjes së saj. Jenner e cilësoi situatën si qesharake dhe tha se nuk shqetësohet nga spekulimet, duke lënë të kuptohet se dy mikeshat vazhdojnë të jenë të afërta./mxh
