Aktorja e njohur e “Dawson’s Creek”, Busy Philipps, ka rrëfyer se ka kaluar një nga periudhat më të vështira të jetës së saj, pasi iu zbulua një tumor në tru vetëm pak ditë pas vdekjes së ish-bashkëaktorit dhe mikut të saj, James Van Der Beek.
47-vjeçarja, e cila luante rolin e Audrey Liddell në serialin e famshëm amerikan, zbuloi se iu diagnostikua një oligodendrogliomë e gradës së dytë, një tumor i rrallë dhe me rritje të ngadaltë në tru.
Philipps tregoi për People se nuk kishte simptoma të dukshme, si krizat epileptike, dhe fillimisht mjeku i kishte thënë se nuk kishte arsye për të kryer një skaner. Megjithatë, ajo ndjeu se duhej ta bënte dhe, pas konsultimit me një mjek të dytë, iu nënshtrua një skanimi të plotë të trupit.
“Ne shpesh u themi mjekëve se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, ndërkohë që ti e ndjen se diçka nuk shkon”, u shpreh aktorja.
Ajo rrëfeu gjithashtu se prej rreth dy vitesh u kishte thënë miqve se “truri i saj ndihej i prishur”, duke menduar se disa nga ndryshimet që po përjetonte mund të lidhen me perimenopauzën. Nuk është konfirmuar nëse këto shqetësime kishin lidhje me tumorin./mxh
