Këngëtarja Dua Lipa dhe bashkëshorti i saj, aktori Callum Turner u ndalën gjatë fundjavës, në lokalin Corner Bistro, në lagjen West Village të Nju Jorkut, ku i kënduan “Gëzuar ditëlindjen” një klienteje tjetër, sipas një punonjësi të barit që foli për revistën People.
Punonjësi i barit, Tyler, i cili kërkoi të identifikohej vetëm me emrin e tij, tregoi se çifti i sapomartuar kishte mbërritur më 19 korrik pas ndeshjes finale të Kupës së Botës në New Jersey. Ata porositën pije në bar së bashku me një grup miqsh dhe më pas u ulën jashtë lokalit.
Më pas, sipas tij, ata panë një grup njerëzish që po i këndonin “Gëzuar ditëlindjen” një personi tjetër dhe vendosën t’i bashkoheshin momentit.
“Mendoj se panë një grup miqsh që po këndonin urimin e ditëlindjes dhe menduan se do të ishte bukur të bashkoheshin, të shkonin pranë tyre dhe t’ia bënin dikujt ditën më të veçantë”, tha Tyler.
Bari publikoi në Instagram një video të momentit kur çifti iu bashkua grupit që po këndonte për një grua të ulur në një tavolinë jashtë. Dua dhe Callum shfaqen të entuziazmuar, duke zgjatur duart drejt saj ndërsa këndojnë emrin e saj dhe duartrokasin në fund.
“Disa ditëlindje vijnë me tortë. E Mairead Walsh erdhi me një serenatë surprizë nga Dua Lipa dhe Callum Turner,” shkroi lokali në përshkrimin e videos.
Sipas Tyler, Dua Lipa dhe Callum Turner janë vizitorë të rregullt të lokalit.
“Mendoj se Callum kishte ardhur disa herë më parë dhe i pëlqyen martinit tanë. Më pas erdhi me Duan dhe porositën martini. Mendoj se u pëlqeu atmosfera e Corner Bistro”, tha ai.
Punonjësi i barit shpjegoi se, edhe pse në lokal shkojnë shpesh persona të famshëm, kjo nuk ndryshon mënyrën se si trajtohen klientët.
“Shohim shumë njerëz të ndryshëm, përfshirë shumë të famshëm, por kjo nuk na ndikon. Për ne është thjesht një ditë normale dhe përpiqemi t’i trajtojmë të gjithë njësoj”, tha ai.
Për çiftin Lipa-Turner, ai shtoi se ata duket se e pëlqejnë një stil më të qetë dhe larg vëmendjes.
“Ata thjesht duan të dalin, të shijojnë një pije dhe diçka për të ngrënë, si çdo njeri tjetër. Mendoj se u pëlqen të ndihen normalë dhe shumica e klientëve tanë i lënë të qetë”, tha Tyler.
Dua Lipa ndau gjithashtu në Instagram disa momente nga qëndrimi i saj në New York, përfshirë foto nga finalja e Kupës së Botës, ku shfaqet edhe Callum me krahun rreth saj.
“Një javë në 212,” shkroi ajo në përshkrimin e postimit, duke iu referuar kodit telefonik të New York-ut.
Çifti u martua këtë verë, fillimisht në një ceremoni intime në Old Marylebone Town Hall në Londër më 31 maj, dhe më pas në një ceremoni të dytë më të madhe në Itali më 6 qershor, ku morën pjesë edhe shumë miq të njohur./mxh
