Pas dy netëve spektakolare me koncerte të shitura plotësisht në stadiumin “Monumental” të River Plate, këngëtarja me origjinë shqiptare Dua Lipa i befasoi fansat argjentinas me një paraqitje të papritur në derbin legjendar, të njohur si “Superklasiko”.
Ylli botëror i pop-it mbërriti në stadiumin “La Bombonera” e veshur me fanellën e re të kombëtares së Argjentinës, e shoqëruar nga familjarët e saj. Ajo ndoqi ndeshjen nga një lozhë VIP, duke shijuar atmosferën e zjarrtë të tifozëve të Boca Juniors.
Kamerat e kapën Duan teksa buzëqeshte, kërcente dhe filmonte momentet emocionuese, ndërsa prania e saj u bë virale në rrjetet sociale. Tifozët e Boca-s e mirëpritën si një “mikeshë të re të klubit”.
Një moment i veçantë ishte takimi me legjendën dhe presidentin aktual të klubit, Juan Román Riquelme, i cili i dhuroi dy fanella me numrin e tij të famshëm 10 dhe emrin “Román”.
Mbrëmja u kurorëzua me fitoren e Boca Juniors 2–0 ndaj River Plate, duke e kthyer vizitën e Dua Lipës në një përvojë të paharrueshme në zemrën e futbollit argjentinas./MXH
